Ndjekja policore që vrau 32-vjeçarin

I birësuar në moshën dy-vjeçare nga Shtëpia e Fëmijës, por një ndjekje nga policia e Tiranës mbrëmjen e së mërkurës, u bë shkak që 32-vjeçari të humbasë jetën. Lear Kurti ishte në rrugën ”Riza Cuka” rreth orës 23:07, kur Policia e Tiranës i ka bërë thirrje për të ndaluar, por sapo i kërkuan që të paraqiste dokumentet e identifikimit, i riu ia mbathi me vrap.

Pas këtij veprimi, forcat blu i janë vënë në ndjekje të riut për rreth 300 metra derisa arritën ta ndalonin në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

I riu ndërroi jetë në duart e policisë, por rrethanat mbeten ende të paqarta. Në ekspertizën paraprake ka rezultuar se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës pasi në stomak i është gjetur një përmbajtje plastike disa cm. Por babai i tij, Artur Isai thotë se djalin e kanë mbytur.

Shkaku i vdekjes është kthyer ”ping-pong” mes institucioneve. Iu vdiq policëve në duar, apo mjekëve? Spitali i Traumës thotë se 32-vjeçari nuk është ekzaminuar aty. Sapo është konstatuar se ka mbërritur pa puls është përcjellë në morgun e Tiranës.

Edhe nga jashtë Kuvendit, Sali Berisha ka vijuar sërish akuzat kundër Policisë së Shtetit, duke e bërë përgjegjëse për vdekjen e 32-vjeçarit. Sipas Berishës, policia e ka torturuar duke e lënë të vdekur në makinë.

SHKARKO APP