Ndotja e ajrit, Bashkia: Të pafuqishëm për të ndërhyrë
Ndotja e ajrit në qytetin e Elbasanit është një shqetësim i përhershëm i banorëve të këtij qyteti. Në këtë zonë operojnë disa firma të cilat shkarkojnë sasi të konsiderueshme gazrash, si pasojë e proceseve të tyre teknologjike. Ndotjen e pranon edhe përfaqësuesi i Inspektoratit të Mjedisit në Bashkinë e Elbasanit, por jo në nivelet e paraqitura nga Klubi Ekologjik dhe mbi të gjitha brenda parametrave të lejuara.
“Ne nuk mundemi të dalim nga ky përjashtim dhe të themi që Elbasani nuk është i ndotur, por nuk është në shifra apo nivele alarmante. Këto ndotje në mjedis nuk vijnë vetëm nga industritë që kemi në zhvillim. Më problem për ndotjen kanë qenë lëvizja e mjeteve në zonat urbane”, tha Ismail Dybeli nga Inspektorati i Mjedisit në Bashkinë Elbasan për ”A2Cnn”. Por a ka operatorë në ish zonën e Metalurgjikut që ndotin tej normave të lejuara dhe si ndëshkohen ato?
“Puna jonë konsiston në kontrollin, asistimin siç është për shembull në Ferokromin e vjetër që deri para pak kohësh më parë nuk e kishte instaluar sistemin e pluhur-kapjes. U shpall zonë emergjence. Ju bë kërkesë ministrisë të ndërhynte sepse këto pika nuk janë nën kompetencën tonë. Ka masa administrative për këto abuzime, deri në mbyllje të subjektit”, shtoi Dybeli.