NDOTJA E MJEDISIT
Nga Brunela Beshaj
Shqipëria ka probleme të shumta lidhur me mjedisin, jo vetëm në cilësinë e ajrit por në përgjithësi të elementëve përbërës të tij, siç janë uji dhe toka (dheu’). Ndryshimet e shumta në jetesën e qytetarëve, ritmet e shpejta të zhvillimit të infrastrukturës, ndërtimet e pakontrolluara dhe shkatërrimi i zonave të gjelbra po ndikojnë në cilësinë e mjedisit.
Ndotja e ajrit është një nga problemet kryesore mjedisore në qytetet e mëdha shqiptare, sidomos në Tiranë. Ndotja ka ardhur per pasojë të shtimit të makinave dhe pakësimit të gjelbërimit urban. Përqendrimi i grimcave PM10 dhe NO2 në Tiranë, kalon standardet kombëtare dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ndarja e mbeturinave që në burim mbetet problematike, si pasojë e mungesës së informacionit të banorëve ose mungesës së edukatës për ta bërë diçka të tillë. Mospasja e një ligji, i cili do të nënvizonte pasojat e mosrespektimit të ndarjes së mbeturinave, ashtu sikurse ndodh në vendet europiane, të cilat nuk i kanë këto probleme në masë, pikërisht nga prania dhe zbatimi i këtyre ligjeve. Aktualisht ekzistojnë ndotje edhe më të rrezikshme si mbetjet spitalore e helme të lëshuara në ajër nga barna të skaduara.
Qytetet me ndotjen më të lartë mbeten Tirana dhe Elbasani. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka një tejkalim të normës vjetore të Bashkimit Europian në dy stacionet e vendosura në kryeqytet për matjen e ndotjes. Ndotja vjen nga shtimi në masë i numrit të makinave, në Tiranë numri i makinave për km2 është më i madh se Amsterdami apo Berlini. Pararelisht me këtë shkon edhe rritja e dendësisë së popullsisë, sa më tepër banorë aq më të larta do të jenë edhe nivelet e ndotjes.
Në tërësinë e ndotjes përfshihet jo vetëm cilësia e ajrit, por edhe ajo e ujit, një ndër produktet më të konsumuara dhe që ndikon drejtëpërdrejtë në shëndetin e njerëzve duke u bërë një ndër burimet kryesore të sëmundjeve të brendshme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) nga uji i ndotur sot në botë sëmuren mbi pesëqind milion njerëz, pra rreth 88% e të gjitha sëmundjeve në botë shkaktohen nga uji i ndotur. Nga uji i papastër pasojnë një sërë sëmundjesh, ku ndër më të rëndësishmet janë kolera, tifoja abdominale, hepatitis A, enterovirozat etj.
Mos të harrojmë këtu që një pjesë e mirë e ndotjes vjen edhe si pasojë e mungesës së një sistemi hidrik të mirëndërtuar dhe mbi të gjitha të mirëmbjatur, i cili nuk do të lejonte përzjerjen e ujërave të zeza me ujin e pijshëm. Ndër ankesat kryesore të qytetarëve mbetet pikërisht kjo gjë, uji i rubinetit është më pikëpyetje rreth cilësisë për t’u konsumuar, gjë e cila i shtyn të blejnë ujin e ambalazhuar, duke ndikuar edhe në buxhetin e tyre deri diku sepse jo të gjithë mund ta kenë mundësinë ta blejnë…
Ndotja e ujit në Shqipëri ndodh edhe si pasojë e hedhjes së mbeturinave të ndryshme në liqene, lumenj dhe det. Ndotje në masë ndodh nga cilësia jo e mirë e karburantit të anijeve e trageteve apo derdhjes së ujëravë të zeza të bizneseve që operojnë në këto zona. Në ndotjen e ujit ndikon gjithashtu mungesa e kontrrollit për pastërtinë e lumenjve, liqeneve dhe deteve. Mungesa të tilla kanë bërë që në liqenet tona, përveç shkaqeve natyrore, të vihet re në masë eutrofikimi, i cili është përgjigjia e ekosistemit për shtimin e substancave artificiale apo natyrore, të tilla si nitratet, fosfatet apo ujërat e zeza, në sistemin ujor. Faktorë tjetër shumë i rëndësishëm i cili ndikon në ndotjen e mjedisit mbetet edhe prerja e pyjeve dhe zjarret që në të shumtën e rasteve la ta themi janë të qëllimshe. Mos të harrojmë pa përmendur që për hatër të shumë bizneseve të ndërtimit shkulen pa mëshirë masive pemësh e lulishtesh, e gjitha kjo në emër të “zhvillimit në rang europian”. A nuk ja vlen të theksojmë se pikërisht parqet e Hollandës, Hungarisë apo Kroacisë janë me famë dhe nuk janë cënuar aspak nga ky “civilizim”. Vitet e fundit, parqet kombëtarë në të gjithë Republikën e Shqipërisë janë gjendur nën presionin e rrezikun e bizneseve që i shikojnë si burimet e fundit për t’i shfrytëzuar. Ato janë ndeshur me shkeljen e ligjit për zonat e mbrojtura, ku janë dhënë leje për HEC-e e ndërtime të tjera brenda parqeve kombëtare, mjafton të përmendim Parkun Kombëtar të Valbonës.
Shtimin i betonizimit dhe zvogëlimi i ambjenteve të gjelbëra ka bërë që grimcat e ndotura në ajër të arrijnë një nivel të frikshëm duke u bërë një ndër shkatarët kryesorë të sëmundjeve të apartait të frymëmarrjes, duke rritur rrezikun për personat që vuajnë nga sëmundje kronike të sistemit respirator. Në Shqipëri vdekjet e shkaktuara nga ajri i ndotur, llogariten në 1400 persona në vit, ose 0.05% e popullsisë, duke u renditur e 29-a në Europë, nga 37 shtete gjithsej.
KOHA JONË SONDAZH

