Ndotja në Shkumbin, IKMT gjobit Bashkinë e Rrogozhinës
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka gjobitur bashkinë e Rrogozhinës, pasi derdhte mbetjet në lumin Shkumbin. IKMT ka kryer verifikime në shtratin e lumit Shkumbin në territorin e bashkisë Rrogozhinë ku është vërejtur një situatë e rënduar mjedisore si pasojë e mbetjeve urbane të depozituara pa kriter.
Në kushtet kur Bashkia Rrogozhinë, edhe pas njoftimeve e kërkesave për marrje masash, nuk ka kryer veprime konkrete për pastrimin e territorit, IKMT ka marrë masën e ndëshkimit me gjobë 2 milion lekë ndaj Bashkisë.
Pak javë më parë, përgjatë kontrolleve në territor u konstatuan hedhje të mbetjeve urbane në territorin e bashkisë Rrogozhinë, në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin. Për pastrimin e qytetit të Rrogozhinës ishte kontraktuar firma “Viola-Green SHPK”.
Ky subjekt u konstatua se mbetjet i depozitonte në lumin Shkumbin. IKMT mori masë administrative ndaj Kompanisë, si dhe njoftoi bashkinë Rrogozhinë për ndërprerjen e depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor të zonës.