Ndotja nga industritë në Elbasan/ Kanceri më i shpeshtë se gripi, shteti hesht

Një lidhje e hershme dhe vështirë për t’u shkëputur, mund të konsiderohet ajo e qytetit të Elbasanit me industrinë e rëndë dhe ndotjen e shkaktuar prej saj. Elbasani ka më se 2 vjet që ka shpallur emergjencën mjedisore për shkak të ndotjes, më shumë duket se janë bërë “fjalë” dhe pak punë. Deklarata të ministrave në Elbasan se do ti japin fund ndotjes, reagimeve të shpeshta të Këshilltarëve në Këshillin bashkiak se në Elbasan nuk jetohet më, kryeinspektor të shkarkuar, procedime penale ndaj ndotësve, ndërsa banorët e zonave aty pranë vijojnë të thithin ajër të ndotur. Të gjitha këto masa duket se nuk i kanë vënë para presioneve ndotësit kryesor, të cilët vijojnë të qetë veprimtarinë e tyre pranë ish kombinatit Metalurgjik.

Cdo ditë e më shumë zonës i shtohen ndotësit, biznese të hapur rishtazi, inceneratori në një anë, të cilët duket sikur kanë vetëm një qëllim ti marrin frymën dhe shpirtin banorëve që jetojnë aty pranë.Banorët e Balldrenit shprehen se situata është më problematike natën, kur filtrat nuk vendosen në punë, por edhe ditën kanë vënë re prezencë tymi, duke u ndjerë jo pak të rriskuar. E gjithë kjo situatë padyshim që ka ndikime negative në shëndetin e tyre.

Për t’u mbrojtur nga reja e zëzë që i kërcënon dukshëm jetët e tyre, banorët mbyllin dyer e dritare. Por nuk është e thënë të shpëtojnë dot prej ndotësit. Aq sa munden përpiqen të mbjellin perime, fruta dhe të punojnë atë tokë që kanë, por janë të vetëdijshëm se prodhimet nuk mund të konsumohen. Sa për fëmijët, mushkëritë e tyre dhe ngarkesa e mikrobeve i tejkalon ato që gjenden tek një i rritur i nje qyteti Europian që respekton rregullat dhe standardet e mjedisit. Situata është më e vështirë natën. Kur të gjithë flenë, edhe “shteti”, vec gjakpirësit e industrisë së rëndë jo. Ata vijojnë aktivitetin e tyre dhe më e keqia stakojnë filtrat.

Edhe më të tmerrshme janë të dhënat zyrtare dhe jo zyrtare të jetëve të humbura nga tumoret. Kanceri në këtë zonë, nuk kursen asnjë moshë, ndërsa ata që I kalojnë të 60-tat konsiderohen me fat.

Përballë pamjeve të tilla natyrshëm të lind dëshira të largohesh një orë më parë nga Elbasani, pasi të rriskuar nuk janë vetëm ata që shtrihen pranë zonës industriale, por I gjithë qyteti dhe deri në periferi të tij, por pyetja është ku të shkosh dhe a janë mundësit?. Përgjigja është e dukshme që jo. Edhe këtë të dielë, dora nuk të bën të hapësh dritaren e shtëpisë dhe të shijosh temperaturat e ngrohta që ky fund tetor na ofron, por mendimi I parë është të vishesh dhe të ikësh sa më larg. Por jo të gjithë e kanë këtë fat.

Për sa kohë që shteti nuk reagon, kryeinspektorat heshtin në këmbim të disa ceqeve që marrim, agjensite funerale do të jenë të vetmet biznese që do të lulëzojnë. Sa trishtim, por ky ishte fati ynë dhe sa kohë nuk reagohet njëzëri pamje të tilla ndotjeje do të jenë më të shpeshta. /Media Line News

SHKARKO APP