Ndrenika i përgjigjet Kumbaros: Letra jote e pa sinqertë, më shumë kishte kunja

Ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro i shkroi një letër të hapur aktorit Robert Ndrenika pas deklaratave që ai lëshoi kundrejt saj për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar.

Ndërkohë, Ndrenika i ka kthyer sërish përgjigje sot ministres Kumbaro me anë të një letre të publikuar në gazetën Panorama. Ndrenika shprehet në letër se përveç fjalisë së parë ku është dakord me Kumbaron, pjesa tjetër i është dukur jo e sinqertë dhe me kunja. Ai shprehet se nuk i heq asnjë presje asaj që ka thënë më herët.

Letra e Robert Ndrenikës:

E dashur Mirela!

Lexova me vëmendje letrën tënde. Përveç fjalisë së parë që “je në një mendje me mua”, të tjerat m’u dukën kunja dhe jo shumë të sinqerta.

Përsa më përket mua, përveç mënyrës së të shprehurit, që ndoshta vjen nga profesioni im, (mirë do ishte të kisha studiuar për diplomaci) unë nuk heq asnjë presje nga ato që kam thënë.

Bingoja u hap në një situatë emergjente me aprovimin e tërë komunitetit teatror dhe kur paraardhësit e tu në Ministrinë e Kulturës deri në vitin 2000 nuk lanë hapësirë pa dhënë me qira.

Përsa i përket ndërtimit të sallave te “Piramida” dhe “Turbina” e kishit ju për detyrë të kishit bërë dhe të bënit transparencën.

“Transparencë” që edhe sot e kësaj dite ne po e kërkojmë. Vazhdimin e bisedës do ta bëjmë në sallën e Teatrit Kombëtar.

Me respekt

Roberti

Aktorët e Teatrit Kombëtar përballë kullës së qeverisë dhe biznesmenit

SHKARKO APP