Ndryshime në Qeveri

 

Zgjedhjet mbaruan.PS dhe LSI fituan ndjeshëm, ndonëse u fërkuan njëra me tjetrën ditën e henë për kandidatët e humbur të Metës në Lezhë, Pogradec dhe Vorë, por prapë e gjejnë gjuhën e zgjidhjes së sherrit. “Jetojmë në Tironë!”-ka thënë Edi Rama në kengën e tij të famshme-“gjithçka mund të ndodhë”. E tani që LSI mori vota në mënyrë masive për siglën e saj, pra për këshilltarë e ku në asnjë këshill bashkiak zor se PS-ja e bën dot shumicën pa Ilir Metën,po projektohen edhe ndryshimet në Qeveri. E para mbetet  se i duhen Edi Ramës pasi duhet pranuar se disa ministri nuk kanë ecur dot me ritmin e tij të reformave të thella dhe së dyti edhe Ilir Meta ka nevojë për freskime në ministrat e tij, duke parë edhe rezultatet e votave në ato zona ku ministrat kishin në patronazh politik e nuk dolën parashikimet, si fjala vjen në Berat.

Edi Rama,pas fitores së zgjedhjeve lokale, e ka syrin që tani tek 2017-ta, kur do të jenë zgjedhjet parlamentare. Ai nuk ndalet në thellimin e reformave, për të cilat shumë analistë mendonin se mund të pësonte një humbje të thellë në këto zgjedhje të 21 qershorit pikërisht për mënyrën drastike të këtyre reformave,ndaj ka nevojë për me shumë “edistë” në sensin e hapit. Sovrani e votoi në mënyrë plebishitare  ndaj ka gjithë të drejtën e Zotit që të fus marshin tjetër më të shpejtë për reforma më të egra pavarësisht se duket e pa mundshme që Rama ti realizojë të gjitha reformat në një mandat. Fakti që me 21 qershor mori votë plebishitare nuk ka gojë njeri të thotë të kundërtën, pasi është vota popullore që e përkrahu. Vetë e votuan , ndaj ta pranojnë tani!

Edi Rama ka thënë tek Blendi Fevziu se në sesionin parlamentar të vjeshtës do të bëjë reformën me të thellë në fushën e drejtësisë, ku do të ndëshkojë me penalitet e burg çdo gjyqtar që vjedh e pasurohet, edhe në gjykatën e lartë.Kjo është një reformë e vështirë dhe shpresojmë ta bëjë deri në fund të vitit, ndonëse duken re të zeza që do t’ia rrethojnë kryeministrinë se ka kundër tij një mori institucionesh kushtetuese. Por Rama është Edi Rama dhe kurrsesi nuk vihet bast me të,pasi është i paparashikueshëm.

Të gjitha këto premtime publike Rama duhet dhe do t’i bëjë me një kabinet të freskuar, pra me ndryshime ministrash. Tek PS-ja ai bën ç’të dojë sepse pas kësaj fitore nuk ka njeri që e kundërshton dot, ndërsa ministrat e LSI-së presin dorën e Ilir Metës për firmë. Ajo çfarë flitet në selitë e larta të dy partive është se LSI largon ministrin e Drejtësisë Nasip Naço jo vetëm se duhet emër tjetër për t’u përballur në parlament e në KLD për reformën më drastike në historinë e vendit, siç po planifikon Edi Rama. Ministri i Drejtësisë mund të ikë edhe për një arësye brenda partisë së tij, pasi Berati që kishte në patronazh doli me pak vota për LSI. Dhe Meta nuk fal asnjeri, ndonëse doli shumë mirë në shkallë Republike, por ndërkohë ai planifikon votat për 2017-tën. Ndërsa ministri Haxhinasto mundet ta lërë postin nëse LSI ia kalon PS-së këtë dikaster, sepse duket se kryeministri e ka me shumë merak këtë ministri. Mundet që LSI të lërë Ministrinë e Trasnporteve dhe të marrë ministrinë e Shendetsisë. Me këtë rast vjen Vangjel Tavo, i cili jo vetëm mori Bashkinë e Gjirokastrës , porse mori vota kaq shumë për LSI sa edhe vetë ai nuk e mendonte kur filloi fushatën si deputet. Mundet që dhe ministri i Bujqësisë  zoti Panariti të largohet. Nuk dihet akoma fati i ministres së Integrimit të LSI, e cila humbi Pogradecin, porse në selinë e partisë së tyre e dinë të gjithë se ishte PS-ja që i preu në besë duke ia dhënë votat kandidatit të PD-së.

Tek PS-ja vetëm ministri Saimir Tahiri nuk preket, pasi ka themele të blinduara, natyrisht nga puna e tij, ndërsa rrezikon ministri i Financave Shkelqim Cani që të kthehet në sallën e Kuvendit,sepse edhe mandatin e deputetit nuk e ka dorëzuar e duket se në kokën e kryeministrit është projektuar zëvëndësi i Canit. Ai është  Arben Ahmetaj, një supërministër sot për sot dhe specialist, por edhe i besuar i Ramës. Kurse Artan Lame kërcen nga legalizimi tek ministria që e ka në varësi , pra ministër i Zhvillimit Urban, një dikaster ku Lame është një supërspecialist. Nuk preket Lindita Nikolla, ministrja e Arësimit e cila mbahet nën “rezervat” e “karantinë”, pasi projektimi është që ta kandidojnë për Presidente Republike në qershor 2017. Niko Peleshi mbetet po aty ku është. Ministrja e Kulturës ka rrezik të humb postin dhe të zëvëndësohet me një emër jashtë parlamentit. Damian Gjiknuri nuk rrezikohet pasi ka nën kontroll edhe tensionin e lartë të energjisë me shumë voltash rrotull e nuk guxon njeri t’i ofrohet. Vetëm kryeministri mund t’ia stakojë çelësin e voltazhit të lartë!

Por ka një plan që po flitet, ndonëse nuk jemi shumë të saktë në këtë rast. Bamir Topi ish-presidenti dhe kryetari i FRD mund të jetë ministër Mbrojtje në kabinetin e Ramës, pasi i shton shumë pikë në arenën ndërkombëtare qeverisë së sotme. Kjo për faktin se është ish-president, kryetar i një partie të djathtë dhe me shumë integritet. Nëse kjo realizohet, siç thuhet në katin e dytë të kryeministrisë,në një zyrë djathtas, afër zyrës së Kryeministrit pra do të jetë një lëvizje brilante dhe tregon aftësitë menaxhuese të Ramës.

Ndryshimet do të jenë fund të këtij sesioni parlamantar , pra në fund të korrikut.

Këto ndryshime janë projektuar, ndonëse siç thamë “gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë!”. Mundet nga inati që i doli në media kjo skemë Edi Rama të thotë mënjëherë se “nuk bëj ndryshime” dhe digjen të gjithë këto karrike që janë duke pritur përtej kryeministrisë, në një bar kafe.

 Gjithsesi ndryshimet do bëhen ! 

SHKARKO APP