Ndryshimet klimatike shkaktojnë temperatura ekstreme në detet evropiane
Detet përgjatë brigjeve të Evropës kanë regjistruar temperatura jashtëzakonisht të larta këtë verë, ndërsa ndryshimet klimatike kanë kontribuar ndjeshëm në këtë ngrohje, sipas një raporti të një ekipi ndërkombëtar studiuesish.
Temperaturat e sipërfaqes së detit janë mbi mesataren e periudhës 1990–2020 pothuajse përgjatë të gjitha brigjeve evropiane.
Ndër zonat më të prekura janë Mesdheu perëndimor, Gjiri i Biskajës dhe brigjet e Gadishullit Iberik, ku në disa vende temperaturat kanë qenë më shumë se 6,1 gradë Celsius mbi normalen.
Studiuesit e “World Weather Attribution” krahasuan temperaturat e sipërfaqes së detit gjatë korrikut me simulimet e modeleve klimatike për të përcaktuar ndikimin e ngrohjes globale.
Sipas analizës, ndryshimet klimatike kanë rritur temperaturat mesatare me rreth 2 gradë Celsius në Mesdhe, 1,4 gradë në Gjirin e Biskajës dhe përgjatë bregdetit perëndimor të Iberisas si dhe 1,3 gradë në zonat pranë Irlandës dhe brigjeve perëndimore të Britanisë së Madhe.
Valët e të nxehtit detar kanë prekur këtë vit rreth 90% të brigjeve të Gjirit të Biskajës dhe Gadishullit Iberik, ndërsa në Mesdheun perëndimor janë prekur rreth 80% e brigjeve.
Pa ngrohjen e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, studiuesit vlerësojnë se këto shifra do të kishin qenë rreth 40% në të dy rajonet.
Sipas ekspertëve, detet më të ngrohta mund të çrregullojnë ekosistemet detare dhe zinxhirët ushqimorë, duke rrezikuar popullatat e gjitarëve detarë dhe shpendëve të detit.
Në jugperëndim të Anglisë, peshkatarët kanë raportuar gjithashtu një rritje të ndjeshme të shfaqjes së oktapodit të zakonshëm që prej vitit 2025.
Kjo specie është tipike për ujërat më të ngrohta pranë Afrikës së Veriut.
Temperaturat e larta të detit mund të ndikojnë edhe në intensitetin e stuhive të fuqishme.
Studiuesit përmendën si shembull përmbytjet vdekjeprurëse që goditën rajonin e Valencias në Spanjë në vjeshtën e vitit 2024, duke nënvizuar se ngrohja e deteve mund të krijojë kushte më të favorshme për episode ekstreme të motit./ /Ad.Ab./ a.jor. ATSH
KOHA JONË SONDAZH

