Ndryshimet kushtetuese? Gerta Meta: Politika po tregon papjekuri
Nisma e PS-së dhe e opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor po shoqërohet me debat publik. Drejtuesja ekzekutive e Shoqatës për Kulturën Demokratike, Gerta Meta, tha në Euronews Albania se këto diskutime të minutave të fundit në këtë sesion parlamentar, tregojnë mungesën e theksuar të sjelljes dhe të maturisë politike.
“Është shumë e drejtë që këtë pjesë e sjellim si shqetësim sidomos për votuesit shqiptarë. Ndryshimet kushtetuese është një diskurs politik që është i minutave të fundit, dhe kjo nuk është aspak serioze sa i përket sjelljes dhe maturisë politike në Shqipëri. Të ndryshosh kushtetutën në një moment kritik dhe në një moment, ku ka një ngërç të konsumimit të debatit politik, pikërisht tani në fund të korrikut, kur jemi edhe le të themi në prag të zgjedhjeve.
Vazhdimisht institucionet ndërkombëtare ua kanë dhënë mesazhin politikanëve që nëse doni të prekni kushtetutën, nëse doni të bëni gjëra të mëdha, e para jepuni kohë qytetarëve tuaj, pyesni ata. Jepuni qytetarëve format për t’u shprehur. Sidomos para zgjedhjeve, minimumi i afateve është nga 6 muaj deri në një vit. Politikanët shqiptarë nuk është se nuk e dinë këtë, por ju pëlqen ta anashkalojnë këtë dhe mos ta konsiderojnë.
Fakti që ndryshimet kushtetuese vijnë në tryezën e partive politike jo për interesin e qytetarit dhe sovranit, por bëhen bashkë për interesa politike se si e si për të mbajtur karriget e tyre. Qytetarët nuk kanë ndonjë interes të koalicioneve, por interesi i tyre është se kush do t’i përfaqësojë ato. Nuk po dialogohet me qytetarët”.