
Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të karburanteve, të cilat hyjnë në fuqi më 31 tetor, në orën 12:00.
Sipas vendimit, çmimi i naftës ulet me 6 lekë dhe do të shitet me jo më shumë se 212 lekë për litër. Për shitjen me shumicë, kufiri maksimal është vendosur në 200 lekë për litër.
Ndërkohe, çmimi i benzinës mbetet i pandryshuar, në 179 lekë për litër me pakicë dhe 167 lekë për litër me shumicë.
Çmimet e reja do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës. Autoritetet paralajmërojnë se operatorët që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara rrezikojnë pezullimin e aktivitetit.