Ndryshon bonusi i bebeve – Vendimi/Pagesa me dy këste, 5 mijë lekë mbahen si “garanci”

Qeveria ka ndryshuar procedurat për disburismin e pagesave për bonusin e bebeve. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, bonusi është në  masën 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 mijë lekë për foshnjen e dytë dhe 120 mijë lekë për foshnjen e tretë dhe në vijim. Për prindërit që sjellin në jetë binjakë, bonusi është 80 mijë lekë për secilën foshnjë, ndërsa për trinjakë  dhe më shumë, bonusi është 120 mijë lekë për secilën foshnjë.

Në bonus përfshihet edhe shpërblimi në masën 5  mijë lekë, i cili do të jepet vetëm për regjistrimin e lindjes brenda afatit. Vendimi përcakton se masa e ndihmës së menjëhershme financiare jepet në formën e një çeku, të emetuar në emër të prindit/prindërve,  ku 35 mijë lekë disbursohen menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”;  75 mijë lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”; c) 115 lekë menjëherë pas lëshimit nga institucionet e shërbimit spitalor të dokumentit “Certifikatë asistence në lindje”; ç) Diferenca e mbetur prej 5 mije lekësh, përfitohet pas përfundimit të procedurave të regjistrimit të foshnjës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Vlera e përcaktuar në çek tërhiqet në bankat tregtare me të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi. Në rastet kur lindja ka ndodhur në spitale private, prindërit pasi e regjistrojnë foshnjën në zyrën e gjendjes civile, pajisen me certifikatën personale nga akti i lindjes dhe familjare me shënimin: —“Lindje në institucion jopublik (emri i institucionit), lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare” (Bonusi), dhe do të paraqiten pranë Shërbimit Social Shtetëror për tërheqjen e çekut, sipas vlerave të përcaktuara.

Përfituesit e çeqeve paraqesin pranë Shërbimit Social Shtetëror: a) certifikatën e lindjes, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile; b) certifikatën familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile; c) kartat e identitetit të prindit/prindërve. Ndihmën e përfitojnë, shtetasit shqiptarë për foshnja të lindura brenda ose jashtë vendit dhe të regjistruara sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile;  si dhe  prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin e Kombëtar të Gjendjes Civile. /scan

SHKARKO APP