Ndryshon ligji, shtetasit e rinj të Shqipërisë betohen para kreut të Bashkisë së Tiranës, Veliaj: Kënaqësi dhe privilegj
Pas dekretit për fitim të shtetësisë shqiptare, Petrit Krasniqi nga Prishtina, Përparim Sina nga Gjakova dhe Mustafa Ali Gezen, i cili ka lënë Turqinë për të jetuar në Shqipëri, u betuan ditën e sotme përpara kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe për respektimin e Kushtetutës e të legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë e betimit për fitimin e shtetësisë shqiptare, kryebashkiaku Veliaj tha se, ky është hapi i fundit i një maratone institucionale, por dhe hapi i parë i një kapitulli të ri për të lidhur fatet e njëri-tjetrit si qytetarë të Republikës së Shqipërisë.
“Ligji i ri kërkon nga sot, që të jetë kryetari i Bashkisë autoriteti në të cilin bëjnë betimin shtetasin e rinj të Republikës së Shqipërisë. Edhe pse tingëllon shumë formale, në thelb është një moment shumë kuptimplotë dhe domethënës, ku ajo që sot na bashkon në këtë ambient nuk është gjuha, as feja, as kombësia dhe as origjina nga kemi ardhur, por drejtimi nga do të lëvizim të gjithë së bashku nga tani e tutje, një drejtim që lidhet mbi një ideal të cilin shqiptarët e skalitën kaq bukur në faqen e parë të Kushtetutës,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se, “bashkimi nën këtë ideal, nuk është vetëm një gjë e mirëqenë e përbashkët, por edhe një përgjegjësi individuale për secilin, për t’i ruajtur dhe kultivuar këto parime kushtetuese dhe vlera demokratike si një kurorë që garanton lirinë dhe forcën për të avancuar përpara si shoqëri shqiptare”.
Veliaj nënvizoi se, për të gjithë ata që sot aspirojnë të bëhen shtetas shqiptarë është shumë e rëndësishme të kuptojnë historinë nga kemi ardhur si shoqëri, si dhe në çfarë kushtesh të vështira dhe sakrificash është krijuar dhe ka avancuar shteti modern shqiptar.
“Si shoqëri kemi arritur një progres me hapa viganë, si rezultat i impenjimit të përditshëm dhe përkushtimit të përbashkët si shtetas të Shqipërisë, ku Shqipëria tashmë ka hyrë në epokën e transformimeve të mëdha, duke u kthyer në vendin e mundësive të shumta, shpresës, barazisë dhe lirisë individuale. Vullneti dhe dëshira juaj për të qenë pjesë e këtij rrugëtimi e dëshmon më së miri këtë. Por shumë punë na presin akoma! Hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi, së bashku do ta ndërtojmë Shqipërinë që fëmijët tanë ëndërrojnë, Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, Shqipërinë e së ardhmes. Ndaj, sipas kompetencave që më janë dhënë nga ligji, sot kam kënaqësinë dhe privilegjin për t’ju kërkuar besnikëri ndaj shtetit shqiptar dhe respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë,” u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë lexoi formulën e betimit për 3 shtetasit që kanë fituar shtetësinë shqiptare, të cilët më pas nënshkruan edhe aktin e betimit.