Në 24 orët e fundit hiqen 74 leje drejtimi, gjobiten edhe 10 këmbësorë me 10 000 lekë
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 74 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit.
Këta drejtues mjetesh janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të aktit normativ të miratuar nga qeveria.
“Po gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, konkretisht në Berat shtetasi P. H., 44 vjeç, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mosbindje ndaj urdhrit të Policisë për shoqërim dhe në Elbasan shtetasi I. A., 56 vjeç, pasi drejtonte mjetin në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një armë sportive pistoletë pa leje” – njofton policia.
Gjithashtu, në Bulqizë janë proceduar penalisht shtetasi U. T., drejtues motomjeti dhe pasagjeri T. T., për drejtim motomjeti në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi dhe kundërshtim e mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Gjatë mbrëmjes së djeshme nuk zbatuan urdhrin e dhënë për qëndrimin në banesë pas orës 18:00, 10 shtetas, konkretisht 9 shtetas në Durrës dhe 1 në Tiranë, të cilët qarkullonin me biçikleta apo në këmbë, në oraret e ndaluara, pa ndonjë shkak apo arsye dhe për këtë u ndëshkuan me masën administrative 10.000 lekë.
Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.