Në 6 vite fatura e dëmeve nga flakët në vend shkon mbi 823 milionë euro
Nga shpenzimet për ripyllëzimin, kostot për rigjenerimin e tokës dhe humbjet nga djegia e lëndëve drusore, zjarri në Peshtan të Fierit ka krijuar deri më tani një faturë prej 161 mijë eurosh.
“Nëse do t’i kishim paraprirë situatës me masa mbrojtëse, sipërfaqja e djegur do të ishte ndjeshëm më e ulët. Si çdo vit përballemi me zjarre dhe kosto të mëdha për shkak të neglizhencës”, thotë Abdulla Diku, ekspert i mjedisit.
Duke përllogaritur sipërfaqen e djegur nga zjarret në 6 vitet e fundit, dëmi ekonomik shkon në mbi 823 milionë euro, shifër kjo më se mjaftueshme për të rritur kënaqshëm pensionet për rreth 780 mijë të moshuarit në vend.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, Mirdita, Puka, Shkodra, Mati, Dibra, Bulqiza, Librazhdi, Erseka dhe Korça janë zonat më ritmin më të lartë të shpyllëzimit, kryesisht si pasojë e zjarreve.