Në Britani me gomone, të rinjtë e dëbuar: Mbaroi benzina, mbetëm në mes të detit! Na kthyen se…
Ditët e fundit 12 persona sapo kaluan kanalin e La Manshit, janë deportuar në Shqipëri. Mes atyre që u nisën me aeroplan për Tiranë në mëngjesin e 13 tetorit ishte një elektriçist 27-vjeçar, Eltoni dhe një punëtor ndërtimi, Lodjani, 19-vjeç. Eltoni i cili flet mirë anglisht dhe thotë se e ka studiuar në universitet, tregoi se vendosi të shkonte në Britani pasi humbi punën në Tiranë.
“Shefi im tha se po shkurtonte stafin”,-shpjegoi 27-vjeçari. Pas kësaj bleu një biletë për një udhëtim tre ditor në Francën Veriore dhe mori rrugën për në Dunkirk, ku një trafikant i kishte premtuar se do ta hipte në një varkë për në Angli.
Në Dunkirk ku qëndroi për disa ditë, flinte në rrugë derisa mori një telefonatë ku iu tha se do të bëhej kalimi i tij. Të shtunën, më 8 tetor, shkoi në një pikë takimi në një kamp emigrantësh katër milje larg qytetit ku 100 njerëz prisnin të udhëtonin për në Britani.
“U nisëm drejt Anglisë në orën 17:30. Në bord ishin 11 shqiptarë të tjerë, si dhe disa familje kurde indiane dhe irakiane me 13 fëmijë. Ishte e mbipopulluar me 67 veta, por çfarë mund të bënim?”, thotë Eltoni.
Varka me një trafikant kurd në krye arriti në ujërat angleze brenda tre orësh. Pikërisht atëherë mbaroi benzina, duke e lënë gomonen në mes të ujërave. Emigrantët telefonuan menjëherë linjën e urgjencës, ashtu sic i kanë udhëzuar trafikantët. Fëmijët bërtisnin dhe nënat qanin të frikësuara ndërsa gomonia mbushej me ujë.
Lodjani i cili nuk dinte not dhe s’kishte marrë jelek shpëtimi nga trafikantët ishte i sigurt se do mbytej. 15 minuta pasi telefonuan urgjencën, një anije e Forcave Kufitare i mori u kthye në Dover, duke ndaluar dy herë rrugës për të shpëtuar emigrantët nga dy varka të tjera, përpara se të mbërrinte në port katër orë më vonë.
Për shkak se dy shqiptarët nuk kishin kërkuar azil, sipas skemës së re pilot të ”Home Office”, u dëbuan. Skema synon të ndalojë emigrantët ekonomikë shqiptarë që pretendojnë se po ikin nga lufta ose persekutimi për të fituar një vend të sigurt në Britani.