Në burg kush fsheh taksat, në shtator nis aksioni si për energjinë

Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria do të nisë në shtator një operacion të gjerë kombëtar kundër evazionit fiskal, të ngjashëm me atë të energjisë elektrike.

“Objektivi i kësaj beteje që do të zhvillohet në çdo qytet, në çdo rrugë, në çdo aktivitet tregtar kundër informalitetit është ulja e taksave. Por, që të ulen taksat, duhet që të sigurohemi që të paguajnë të gjithë”,  -tha kryeministri.

 Rama paralajmëroi se në aksion do të përfshihen tatimet, doganat, Inspektorati i Punës dhe shumë struktura të tjera shtetërore. Por, përpara fillimit të tij, qeveria do të ashpërsojë masat ndëshkuese për ata që fshehin taksat: “Do të ndërhyjmë në Kodin Penal, për t’i ashpërsuar masat penale ndaj evazorëve”. 

Shefi i qeverisë tha se është e papranueshme që në Shqipëri ka kompani të mëdha që punojnë me dy bilance, një për tatimet dhe një tjetër për bankat. Sipas tij, kjo do të marrë fund përmes një ndërhyrjeje ligjore që qeveria do të realizojë me Bankën e Shqipërisë. 

“Më 1 janar të vitit 2018, bankat do të pranojnë vetëm deklaratën tatimore të bizneseve gjatë procesit të kredidhënies. Nuk do të ketë ka më pranim bilancesh ilegale dhe t’i përdorin si bilance që përbëjnë bazën e vendimit për të dhënë apo jo kredi”, tha Rama.

Qeveria është angazhuar të ulë borxhin publik sipas një programi me të cilin është rënë dakord edhe me Fondin Monetar. Vitin e kaluar objektivat fiskal të programit u realizuan plotësisht, por këtë vit të ardhurat nga taksat janë dukshëm më të ulëta se plani. Kjo ka bërë që FMN të kërkojë publikisht masa konkrete për të mos vënë në rrezik objektivin e uljes së borxhit dhe ristabilizimit të financave publike.

SHKARKO APP