Në burg kush s’ka roje plazhi, operatorët turistikë: Edhe pushteti vendor duhet të bëjë detyrat
Operatorët turistikë janë dakort me deklaratën e ministrit Klosi që në çdo plazh duhet të ketë vrojtues për sigurinë e qytetarëve madje dhe për ndjekjen penale kur nuk zbatohet ky detyrim. Sipas Besnik Vathit me rëndësi është që dhe në ato plazhe ku nuk ka vrojtues qytetarët duhet të njoftohen. Duke i bërë thirrje policisë të reagojë në kohë në rastet e incidenteve, ai dënon dhe rastin e shënuar në Livadh.
Operatorët turistik mbështesin marrjen e masave ekstreme në rast se subjektet që kanë marrë me qira hapësira në bregdet nuk vendosin roje në shërbim të pushuesve.
Ata shprehen se ndjekja penale kur një pushues humb jetën në zonën pa vëshgues është një nga pikat e kontratës, por shtojnë se dhe pushteti vendor ka detyrimet e veta.
“Çdo palë ka detyrime dhe të drejta. Përgjegjësitë ndahen atje ku merren këto përgjegjësi. Shteti duhet të vendosë tabelat përkatëse ku të njoftojë që ky plazh nuk është i përdorshëm, nuk është i vëzhguar.”
Duke komentuar ngjarjen në Livadh, ku pronarët e një hoteli ndaluan automjetin e pushuesve me argumentin e mungesës së një pagese, Besnik Vathi shprehet se forcat e rendit duhet të reagojnë më shpejt.
“Është e shenjtë marrëdhënia me klientin. Duhet theksuar që ka raste kur klientë dëmtojnë dhe cënojnë rëndë por nuk ka pse të zgjidhet vetë, ka organe kompetente që njoftohen, ka polici.”
Me heqjen e masave kufizuese të pandemisë prej vendeve të BE drejt Shqipërisë pritet të mbërrijë një numër më i lartë pushuesish krahasuar me një vit më parë.