Në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, Vjosa Osmani falenderon NATO-n
Aktualitet Kryesore E Hënë, 10 Tetor 2022 13:14
Nga Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës-
Në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, falënderova mijëra gra e burra nga shtetet anëtare dhe partnere të NATO-s, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe paqen në Kosovë prej 23 vjetësh.
Ndërkohë që KFOR-i e ka reduktuar praninë e tij, Kosova ka forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe njëkohësisht po vazhdon partneritetin dhe koordinimin me forcat paqeruajtëse.
Në vitin 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin që po kryhej kundër popullit të Kosovës. 23 vjet më pas, ushtria jonë po shërben përkrah ushtrisë amerikane dhe vendeve të tjera partnere dhe po kontribuon në misionet paqeruajtëse në mbarë botën.
Falë kontributit të NATO-s, Kosova sot është një vend paqësor dhe prosperues.
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe rajon.
Në takim me admiralin Munsch, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in, kundër rreziqeve të sigurisë, si dhe për të kontribuar në mënyrë të suksesshme për paqe dhe siguri në tërë territorin e Kosovës.
Presidentja Osmani e njoftoi admiralin Munsch se Forca e Sigurisë së Kosovës është në tranzicion dhe po zhvillohet profesionalisht në përputhje me standardet e NATO-s. Presidentja Osmani ka theksuar se FSK-ja i mundëson Kosovës të bëhet një kontribuuese aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.
Në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.