Në datat 3 dhe 4 qershor “Boeing boeing”, i Teatrit Shëtitës Çajupi do të ulet në Amfiteatrin e Durrësit

Teatri Shëtitës “Çajupi” me guxim  nisi stinën e verës në Pukë duke u ulur me Boeing Boeing, e cila është komedia e suksesshme që do të vijojë dhe në skena të tjera. Në këtë udhëtim është dhe shfaqja për fëmijët “Aladdin”.

“Boeing Boeing” shfaqja më e suksesshme teatrore e 30 viteve të fundit në datat 3 dhe 4 qershor do të udhëtojë drejt Durrësit, për zbritur në amfiteatrin e qytetit në orën 20.30 të mbrëmjes. Në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katerina Fili.

Farsa klasike e shkruar nga dramaturgu francez Marc Camoletti në vitin 1960, arriti të rrëmbejë dy çmime, Tony Award në 2008 në Broadway dhe çmimin Revival Edition, po atë vit.

Komedia “Boeing Boeing” është një shfaqje teatrore e rajonit Durrës-Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës, Elbasan, Fier, Tiranë, Shkodër dhe Korçë. Vepra vjen e përkthyer në shqip mjeshtërisht nga Nasi Lera. Shfaqja teatrore mban firmën e regjisë nga Kiço Londo.

Ngjarjet në komedinë “Boeing Boeing” ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dalë nga situata falë mikut të tij, Robert.

SHKARKO APP