Në Devoll me Dritëro Agollin

Nga Zenepe Luka

Në një sallë komode, me emrin e veçantë “Panorama”, në qytetin e bukur të Bilishtit, startoi aktiviteti në nderim të shkrimtarit Dritëro Agolli. Në sallën e tejmbushur ishin shkrimtarë, artistë, anëtare të shoqatës “Devolli”, por edhe admirues të krijimtarisë së tij. Përfaqësuese të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” ishin Margarita Xhepa, Makbule Çeço,Vllasova Musta, përfaqësuese e Fondacionit për Diasporën Vitore Stefa Leka, Vitore Sallaku etj.

Të pranishëm deputetët e zonës së Devollit, Hekuran Hoxhalli, që përfaqëson të djathtën, zonja Edlira Bode e Partisë Socialiste. Pjesë e aktivitetit ishte dhe Prefekti i Qarkut Korçë, Pandi Papando dhe nënkryetari i bashkisë së Devollit, Ylli Taho etj. Nga Vlora kishte ardhur edhe kryetare e këshillit bashkiak znj. Vojsava Shkurtaj. Moderatorja Vllasova Musta, poete, kineaste, pasi tregoi rëndësinë e këtij aktiviteti, që ka në brendësi mallin për Dritëro, ia dha fjalën kryetarit të shoqatës “Devolli”, Guri Seferi. Seferi i emocionuar, u shpreh, se: “Janë bërë dhjetëra e dhjetëra aktivitete, për Dritëroin, por k y i sotmi është tepër i veçantë”. Kryetare e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, e mbytur nga emocionet, në ligjëratën e saj, vuri theksin tek marrëdhëniet e afërta me Dritëro, qëkur ishte studente në fakultetin e gazetarisë, më pas si koleg, redaktor të disa librave të saj, mik të gjithë jetës.

Lotët e Margarita Xhepës

Poezia “Poçari” shkruar me mjeshtëri të rrallë nga Dritëro Agolli, është interpretimi më i preferuar për aktoren, Margarita Xhepa, që e ka recituara në skenat e disa shteteve. Po këtu në Devoll, pse shpërtheu në lotë? Përmes emocionesh ajo rrëfeu për të pranishmit dhe tregoi me fakte, shpirtin e madh të Dritëroit, gjatë kohës, që ishte Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve. Atij i shkojnë përshtat vargjet, që i burojnë nga shpirti dhe që më shumë se kujtdo, i përkasin vetë Atij- tha aktorja dhe nisi recitimin e vargjeve.

Mbjellja

Është shumë vështirë, të mbjellësh arën,

Por më vështirë, shpirtin të mbjellësh,

Të hapësh arën dhe të hedhësh farën,

Të hapësh shpirtin dhe shpirtin të mbjellësh…

Më pas, vijoi me poezi të tjera të Dritëroit si “Shpërblimi i tokës etj, që ngritën në këmbë të pranishmit, duke shpërthyer në duartrokitje. Aktori dhe regjisori e Dhimitër Orgcka, me një barrë emocione për mikun e tij shkrimtar, recitoi vargje nga poema “Devoll, Devoll”, duke krijuar emocione dhe ovacione tek pjesëmarrësit. Me mall dhe emocion folën edhe deputetet e pranishëm, ndërsa zëvendëskryetari bashkisë Ylli Taho, përgëzoi organizatorët dhe theksoi se bashkia e Devollit, e ka për nder të ketë birin e tij, një Xhevar si Dritëro, që do t’i japë dritë përjetësisht kësaj toke.

Shoqata “Devolli”, krijoi atmosferë festive me grupin artistik të saj, me interpretimin e këngëve dhe valleve të grupit të fëmijëve, që befasuan me interpretimin virtuoz të valles “Devolliçe”. Këngëtari Endri Fifo, e përcolli me emocion të veçantë këngën kushtuar Dritëroit, që Dritëro e ka pasur shumë për zemër. Pikërisht, në këtë hapësirë, u alternuan 5 recitimet e interpretuara nga vetë Dritëro si dhe disa këngët, që Ai ka kënduar me grupin e Menkulasit. Ishte një përzgjedhje, me krijimet më të spikatura, që kish përzgjedhur vajza e Dritëroit, Elona, vendosur në një CD, që në fund ia dhuruam bashkisë së qytetit. Kështu, Dritëroi ishte aty, në ekranin e madh, këndonte, recitonte, buzëqeshte dhe së fundmi u mbyll me këngën “Kur të jesh mërzitur shumë”.

Në Menkulas, ku ka lindur Dritëro.

Nënkryetari i bashkisë ,Ylli Taho, jo vetëm na krijoi mundësinë për të shkuar në vendlindjen e Dritëroit, por Ai erdhi bashkë me ne, madje nuk na u nda për asnjë çast. Duke iu ngjitur të përpjetës, më ranë ndërmend vargjet, që Dritëro ia ka kushtuar nënës e tij, që na i recitonte në orën e leksionit, vargje që i përsëris shpesh…

“Nëna ime, e mira Hatixhe,/ Më e bukura nga të gjitha fshataret,/ Më polli mua nën penxhere,/ Një ditë, kur kthehej nga arat”. Rruga e shtruar me asfalt bëri që për 20 minuta të gjendemi në zemër të fshatit. Duke pirë kafen e mirëseardhjes me intelektuali Sami Begolli, që është marrë për dekada me historikun e fshatit, të familjes dhe fisit të Dritëroit. “Kemi grumbulluar materialet e domosdoshme dhe shpresojmë se do të përfundojë Muzeu “Dritëro”, që deri më tani ka përfunduar vetëm si godinë”,- thotë Begolli.

Shoku i klasës me Dritëro

Avni Hoxha, është i vetmi moshatar me shkrimtarin në Menkulas, që kanë qenë bashkë që nga bankat e shkollës fillore, që tashmë ka emrin “Dritëro Agolli”. Sapo kish dëgjuar për ardhjen tonë, kish mbërritur aty. Na befasoi shkathtësia e tij për të ngjitur shkallët, por mbi të gjitha memoria e tij e pazakontë, sikur të ishte gjysma e viteve, që mbante mbi supe. Por e pazakonta tek ai është edhe interpretimi i fjalës. Realisht, Avniu, më i moshuar në Menkulas, është një ciceroni i muzeut “Dritëro”, i denjë për t’iu përgjigjur kujtdo.

“Jam ndeshur dhe do të përballem mecilindo, që heq edhe presjen nga historia e shkruar e Dritëro Agollit”, – na drejtohet ai. “Jemi shokë, qëkur ishim 5 vjeç, pavarësisht se rrugët e jetës u ndanë, por ne mbetëm përjetësisht miq të shtrenjtë. Nuk vdes, pa u prerë shiri i Muzeut, që të ketë emrin Dritëro dhe bisedën e parë, dua ta bëj vetë”,- thotë ai.

Por emri i shkrimtarit përmendet nga cilido që takojmë e shtërngojmë duart, që me krahë hapur, na ftojnë për të pirë kafe. Hedh vështrimin në malet, që rrethojnë fshatin e vogël, që shkrimtari, e bëri të famshëm, në tokën që jeshilon deri në pragun e shtëpive, dhe e ndjen se Dritëro frymon edhe aty, në tokën, ku i ka rënë koka. S’ka se si të mos kujtosh vargjet e famshme shkruar nga ai.

“Po Devoll, i tillë qënkërkam unë,/Paskam marrë baltën tënde arave./Nën një trajsë leshi nën gunë,/Për t’ia sjellë Lidhjes së Shkrimtarëve…”.

Në shëtitoren e qytetit, një shtatore e Dritëro Agolli

 Zv. kryetari i bashkisë, që na la mbresa të gjithave, Ylli Taho, pasi tek ai gjen vetëm mirësi, ftoi zonjat e Fondacionit për t’i njohur me qytetin e Bilishtit, planimetrinë dhe pjesën e pedonales, që ka përfunduar. Ai vlerëson faktin, që me fondet e Qeverisë së majtë, po ndryshon qendra e qytetit të Bilishtit. Është në projekt, që në pjesën e rëndësishme, më të populluar të qytetit, të vendoset Shtatorja e Dritëro Agollit, derdhur në bronx, në përmasat që i takojnë madhështisë së tij. Përurimi i do të shëndrohet në festë, jo vetëm për Devollin, pasi shkrimtari i madh, mbetet një figurë kombëtare me përmasa të mëdha gjatë gjithë kohrave-nënvizon nënkryetari i bashkisë.

Kthimi

Pas 24 orë qëndrimi në Devoll, morëm rrugën e kthimit. Organizatorët dhe kushdo tjetër, që u bë pjesë e kësaj veprimtarie, u mbushën me emocione, që nuk do të harrohen. Ishte një rast i veçantë, që provoi, se njerëzit e mëdhenj, sikurse është edhe Dritëroi ynë, jetojnë në përjetësi. Kjo, falë edhe mbështetjes dhe vlerësimit, që i bënë organet e pushtetit vendor, të zgjedhurit në organet vendore dhe qëndrore.

 Prof. As. Dr. Makbule Çeço, e pranishme në këtë aktivitet vlerësoi qëndrimin e institucioneve shtetëror për respektimin e figurës së Dritëro Agollit. “Me gjithçka, që pamë e përjetuam në këtë event, ku protagonist ishte Fondacioni “Nermin Vlora Falachi”, kuptuam dhe vlerësuam rolin e institucioneve të shtetit. Ky është modeli, që i duhet një shoqërie demokratike, të “harrojë” përkatësinë partiake, kur është fjala për të nderuar vlerat kombëtare, sikurse është edhe i madhi Dritëro Agolli. Faleminderit!”,- tha Makbule Çeço.

Gjatë gjithë rrugës na shoqëroi kënga “Kur të jesh mërzitur ashumë” e kanautorit Ardit Gjebrea me tekstin prekës të shkrimtarit. Ndërsa Margarita Xhepa, nuk reshti së recituari vjersha nga libri i fundit i Dritëroit “Prit edhe pak”, dhuruar me autograf nga Sadia. Edhe këtu, Dritëro, ishte mes nesh. I tillë do të jetë në përjetësi.

Përshëndetja e Sadie Agollit, që përloti të pranishmi

 

Në pamundësi për të qenë e pranishme, për shkak të gjendjes shëndetësore, Sadie Agolli, përcolli me zërin, që i dridhej mesazhin e mirënjohjes për organizatorët, eventin, që organizohet, për të nderuar Dritëro. Ja teksti i plotë.

 “Falenderoj organizatorët e këtij eventi, që e kanë etiketuar bukur “Në Devoll, vjen Dritëro”. Falënderoj Presidenten e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, gazetaren, miken e Dritëroit Zenepe Luka dhe shoqatën Kulturore “Devolli” me kryetar mikun e familjes, z. Guri Seferi. Falenderoj personalitetet e pranishëm, deputetë, drejtues të pushtetit vendor dhe të gjithë ju të pranishëm. Unë, fëmijët e mi, nipër e mbesa, familjarët e Dritëroit, ju shprehim mirënjhohjen, për nderimin, që i bëni Dritëroit. Unë e di, se po të ishte Dritëroi, do të emocionoheshe shumë, do të vuante shpirtërisht, do të lëshonte lotë, megjithëse i kishte shumë të kursyera. Ju falenderoj shumë e shumë herë për gjithë çfarë po bëni për Dritëroin. “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa, më përfaqëson me nder tek ju dhe i jam borxhlie unë dhe fëmijët e mi, që ka ardhur në këtë aktivitet në nderim të Dritëroit. Ajo ma kalon mua, se do t’u sjellë poezitë e tij, ndërsa unë vetëm lotët, pasi jam shumë e dobët fizikisht. Sa të kem frymë do të kujtoj me respekt të veçantë, unë, gjithë të afërmit e mijë, Margarita!

Unë ende jam me të, eci nëpër shtëpi me të, ulem në kolltuk me të, flas me të. Nuk jam shkëputur asnjë çast deri tashti dhe nga kjo vuaj, por edhe jetoj e marr frymë, pasi më jep kurajë dhe guxim, për të mbaruar detyrat, që ka lënë pa kryer vetë. Nga kjo vuaj fizikisht, por edhe mendërisht.

 Ai nuk e pranonte vdekjen, e donte shumë jetën dhe e jetoi me mendje të qartë deri në ditët e fundit në spital. Pleqërinë nuk e pranonte, por i kishte vënë epitetin shtriga plakë do të na vërë përfund, por duhet të kuptojmë me të dhe të fitojmë duke punuar, duke përfunduar ato punë, që i kemi në gjysmë të rrugës.

Të më falni që nuk erdha, të më falni edhe njëherë, se ndryshe do të ndodhte po të isha mes jush unë dhe fëmijët , nipërit dhe mbesat. Të tjera emocione, të tjera kujtime do të mbanit mend nga ky aktivitet. Ju falënderoj shumë e shumë herë për gjithë çfarë po bëni për Dritëroin”.

SHKARKO APP