Në Dushkarak të Vlorës ua heqin dushkun fjalëve…
Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve”
Nga Kristo Mërtiri
Vjosa e urtë shekullore, Vjosa e sertë dhe qumështore, Vjosa djepepërkundur e shkumëbardhore, Vjosa epike dhe lirike, Vjosa langore e mjegullore ligjëron përjetësisht brigje më brigje. “Jo me lotë por edhe me ligje…”.Ajo ka derdhur e do të derdhë pa pushim legjenda, elegji, balada dhe këngë trimërie e dashurie me rrënjë Labërie e Shqiptarie. Në detin me dallgë historie ato e mbajnë kokën lart para botës së kokolepsur dhe përballë pushtetit të parasë kallpazane. Edhe rrëfimet më të lashta, Vjosa popullore i mban gjallë teksa rrinë sy e veshë “sic rrinë myshqet e gjelbra në muret e kështjellave”. Përshembull, herë pas here kam kujtuar e kujtoj dhjetra vargjet e një kënge të mocme e të rrallë për ardhjen e Skënderbeut në Vlorë: “Trimat e Krujës po vinë/ Zgjedhur trimat më të mirë…/ Pesë mijë e ca kalorë/ Dushkarak, Vjosën e hodhë/ Erdhën te Rrapi Penkovë !”. Qysh atëhere e gjer më sot, ai rrap u pagëzua dhe mban emrin e Heroit tonë Kombëtar. Po kështu ai Kroi emërmadh ku lante sytë e shuante etjen prijësi ynë, që sot është tharë e përtharë dhe jo rastësisht e thërrasin “Cezma e Thatë”(?!). Sepse Vjosa ime e dashur nuk harron dhe as i hedh kartat në ujë… Por këtë lumë historishumë e shoqërojnë dhe e përcjellin plot lezet e dinjitet edhe dy fshatra të bekuar, si dy karakollë besnikë e nurmbuluar te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit dhe te gjunjët e malit të Tartarit. Të dy përjetësisht majtas rrjedhës, Peshtani e Dushkaraku. Që Vjosa e shenjtë të mos rrudhoset e turbullohet nga erërat dhe shirat moniste e pluraliste. Që historia të rrjedhë e kulluar si buronjat e krojet e Labërisë. Dhe po kështu të derdhet në detin e paanë të kujtesës kombëtare shqiptare. Larg pehlivanëve që kërcejnë tel më tel, larg xhambazëve që e bëjnë murrizin hardhi dhe e reklamojnë pacipërisht nëpër vitrinat e tregut të lirë të demokracisë !…
Këtë hyrje të thjeshtë e këtë hap të parë publicistik (në vend të një recense akademike), e hodha pa droje në letër vetëm pasi hyra pa trokitur në portën, avllinë, dyert, minderet, sepetet dhe rreth oxhakut prushndezur të librit “Dushkaraku ynë”. Libër që është në process botimi dhe mban firmën e mikut tim bashkëvuajtës në emigracionin e detyruar, Agim Jazaj. Sepse sic ka thënë mendjendrituri i viseve të mia, atdhetari i flaktë Sami Frashëri, djemtë e Labërisë kanë “prirje e aftësi natyrore për poezi”. Këtë të vërtetë vezulluese e frymëzuese e gjen sot e kësaj dite dhe e prek nga afër kushdo që shkon në Dushkarak e në rrehinat gjitone të tij. Me historinë kapakkuqe të kësaj treve me plot njerëz të pushkës e të penës, jam ushqyer shumë herët. Qysh kur udhëtonim me sata(autobuzë) e merrnim frymë lirshëm pasi kalonim kthesat marramendëse të Salarisë. Dhe jo me pak kënaqësi, ndalonim e shtrinim pëllëmbët e duarve te sylynjaret e kroit të famshëm në Sevaster.(Vec të tjerave, aty sikur dëgjoja edhe cicërimat e para poetike të shokut tim të shkollës e të konviktit Pedagogjikas në Gjirokastër, zemërqëruarit e të talentuarit tepër modest, Kastriot Mahilaj). Por sinqerisht, ky libër sikur më pasuroi më tepër e më hapi dritare të reja në këtë kohë të përmbytur nga politika pa moral, politikë që i kanë zënë sytë perde dhe shpesh kalon në verbim e tërbim përballë njerëzve të thjeshtë e hallexhinj. Për brumin e këtij historiku dritëpashuar kanë lënë emrat e mbiemrat e tyre të paharruar, kujtesën, përgjegjësinë, dinjitetin dhe dashurinë e tyre të pacënuar, mjaft burra të shquar e të pashquar brenda e jashtë Dushkarakut. Janë nga ajo racë që ua heqin dushkun fjalëve, shkruajnë e flasin troc dhe i shikojnë ngjarjet sic janë, drejt e në sy. Janë 14 burra që i mbyllën shënimet e tyre nga fundvitet tetëdhjetë. Por shumë prej tyre kanë mbyllur përgjithmonë sytë e ikën në atë botë në paqe me veten dhe të tjerët. Në atë kohë me vërshime rrokullimash të mëdha, brenda një apartamenti të thjeshtë në qytetin e Vlorës, po dëgjoheshin trokitjet e një makine të vjetër shkrimi. Kur jashtë përmbysja kish nisur me shkatërrime, një djalë dushkaraku nisi ndërtimin e një “libri-shtëpie” të cmuar. Kur kryeqytetit të Flamurit Kombëtar po i caheshin qiejt dhe zemrat nga dhuna shtetërore, nga ulërimat e krismat kobzeza mbi bijtë e shamizezave labe, mbrëmave Agim Jazaj hapte themele; grumbullonte e qëmtonte gurë qosheje; bënte gati qerestenë me dru dushku nga Dushkaraku e për Dushkarakun… Dhe ja, vjen një ditë pa tamtame e plot modesti, na uron mirëseardhjen dhe na fton thjesht e pa bujë : Urdhëroni në konakun tim, te ky libër-shtëpie !…
Sidomos në Labëri, mirësia shpërblehet me mirësi. Dhe jo vetëm në sofra e gostira familjare. Përshembull, shumë njerëz nëpër Shqipërizën tonë, nuk e dinë ende që 73 vjetë më parë te ky fshat punonin makina shkrimi e shaptilografë. Në zjarrin e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare, prodhoheshin e riprodhoheshin trakte e komunikata me erë baruti e Lirie kundër dushmanit që kafshonte trojet tona. Mjete që u rrëmbeheshin me kokën në torbë pushtuesve nazifashistë. Thirrja popullore labe:”Në mos keni armë, gjeni/ Ia rrëmbeni atij qeni !”, u kthye në kushtrim mbarëshqiptar. Sistemet politike shkojnë e vijnë, por historia mbetet. Ashtu e shkruar me gjak, djersë e sakrifica. Nuk ishte aspak rastësi e rëndomtë bujtja e Enver Hoxhës në Dushkarak, këmbëkryq pranë oxhakut të Murat Xhelilaj. Nuk ishte rastësi krijimi i Këshillit Nacionalclirimtar të gjithë qarkut të Vlorës në këta sokakë e sofatë, në këto vatra me prush të pashuar lirie e atdhedashurie. Te ky Dushkarak i “lidhur si fishekë gjerdani” me Sevasterin, Golimbasin, Mazharin, Shkozën dhe tërë Labërinë e larë në flori patriotizmi e shqiptarie të vërtetë (Shkoza e legjendës Kanan, që kënga e asaj kohe flet më bukur nga ne: “Kanan Maze nga Shkoza/ Me një nofull copa-copa/-Kanan, t’u prish bukuria…/ -Le të rrojë Shqipëria !”). Ndërsa Agimi i xha Banushit, ata 5 fshatra i quan me të drejtë “ 5 gishtat e dorës”! Kështu në luftra e në paqe, kështu në monizëm e në pluralizëm. Sepse dushkarakasi është lis me shumë degë. Lisa gjaku dhe lisa të gjinisë. Asnjë erë egërshane, asnjë shakullinë hipokrite “antikomuniste” që vjen rrotull e ngre përpjetë pluhur a borë “pluraliste”, nuk i tjetërsoi dot karakteret stërralli të dushkarakasve. A e dini një fakt tepër domethënës ? Për 6 legjislatura rresht, vota popullore e kësaj treve buzë Vjosës e malit të Tartarit, ka cuar në krye të pushtetit lokal djem levendë nga Dushkaraku. Dhe ky vlerësim nuk flet pak. Prandaj e mbajnë në majë të gjuhës atë aforizmën agolliane : Lundro me kapedanin, udhëto me udhërrëfyesin e ndershëm, kuvendo me të diturin !…
Unë kam patur fatin e mirë të njoh nga afër disa figura jo dosido, të Luftës e të Punës ndërtimtare nga kjo krahinë hallemadhe, gjatë 4 dekadave në Gazetarinë Profesioniste. Por libri i mikut tim të vecantë fjalëbehar, më freskoi e më pasuroi më tej kujtesën. Edhe bijtë e bijat e Dushkarakut, ku nuk kanë shkuar ! Nëpër Ballkan, Europë e Perëndim, por kurrë nuk iu nënshtrun të ligës, përbaltjes donkishoteske të historisë që drithëroi edhe eshtrat e Dëshmorëve të Lirisë e Demokracisë së vërtetë. Sepse në fund të fundit, prejardhjen tënde as e blen dhe as e shet dot ! Në Dushkarak e në tërë Labërinë, nuk kanë shkuar e nuk shkojnë kollaj si dushk për gogla e më shqip “për dhjamë qeni”. Të mencurit shikojnë më thellë e më larg, përtej Vjosës, Vlorës e Labërisë. Pasi ke kuvenduar gjatë me këta njerëz, i vënë kapak muhabetit : -Ne nuk jemi nga ai sua që mendon se gjithë bota përbëhet nga fshati i tij…
Ashtu pa kujë e pa bujë, fisnikë e bujarë të mëdhenj, njerëz që përgjithësisht i qahen vetëm mikut të vërtetë, besnikë të besës shekullore. Në atë trevë ku Vjosa gurgullon copëza historie edhe nga vendlindja ime e shenjtë, vështirë të gjesh njerëz fodullë e pa mullë apo nga ata kokoshë që u rreh dyfeku lart. Megjithse qëndrojnë kurdoherë drejt, si lis e krenarë… Por një befasi jo pak emocionuese më mbërtheu krejt natyrshëm : “Dy celularë me bejte”, është titulli përmbyllës. Pas atij kuvendimi të gjatë e të shtruar me historinë, nuk thonë kot që një “ëmbëlsirë” lihet për në fund. Nuk besoj të ketë shembull të dytë në media, ku qindra vargje me theks të thekur popullor, për dy vjet rresht bënin rrugën me celularë: Vlorë-Tiranë dhe anasjelltas! Pastaj përfundonin bukur në faqet e një gazete të përditëshme, pasi miratoheshin njëzëri rrotull Sheshit të Flamurit… Janë futur kryesisht ato bejte politike e sociale dhe që lidhen me Dushkarakun. Polemika, batuta, romuze, ironi të mprehta, kritika të drejtpërdrejta, kronika humoreske e problemore, shpoti të hidhura e të tharta popullore. Shkurt, sic e quan saktë miku im, një sepete a hazine thesari origjinale ! Mjaft prej tyre sot këndohen labce e me gjongul nga Isufi me shokë në Karbunarë, nga Lulua në Tepelenë e gjetkë. Asnjë kacidhe shpërblim. Ama, ka vetëm një peshore : Po shkuan e bënë fole te lexuesit, nuk paska shpërblim më të madh. “Dy celularë me bejte” nuk ishte një culëdyjare e zakonshme që shoqëron në kullota kopetë me zile e këmborë. Ai dialog i pafund, sot më ngjan si një dushkore me gjethe të reja erëmira në pyllin a korijen historike të Dushkarakut, Vlorës e Labërisë. Unë besoj shumë te ata njerëz dinjitozë që dje dhe sot flasin me zemër të hapur, pa shashka e bujashka. Dhe ashtu mendjehollë, ua heqin dushkun fjalëve rrumbullake pa jastëk e halë…
KOHA JONË SONDAZH

