Në Funar, aty ku gërshetohen bukuritë e natyrës, tradicionalja dhe larmitë sportive
Reportazh – Nga Miranda Sadiku
Jo shumë larg Elbasanit, ndodhet një nga perlat turistike të qytetit të Elbasanit. Janë të paktë ata që e njohin Funarin, i cili ka nën administrimin e tij 17 fshatra dhe rrethohet nga 7 male dhe përshkohet nga tre përrenj, Zaranika, Kusha dhe Zalli i Korrës. Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë. Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë rrugë që sot mund ta përshkosh për një orë. Funari, ka një reliev dhe klimë të përshtatshme, për zhvillimin e turizmit në të 4 stinët e vitit.
Ndryshe mund ta quajmë oazin e sapozbuluar, të turizmit malor, që dalëngadalë po merr jetë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.
Petrit Duli, një peshkatar i vjetër nga Elbasani, e përshkon rregullisht këtë zonë, që sipas tij me investimet e fundit që janë bërë, si edhe me këto që po priten të realizohen, ai do të frekuentojë Funarin një herë në javë, për të shijuar sportin e tij të peshkimit por edhe bukurinë e natyrës.
Funari me pistën më të madhe të parashutizmit në shqipëri
Por, gjatë vitit që lamë pas, nën kujdesin e veçantë edhe të kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, tashmë Funari po rikthehet një zonë e njohur jo vetëm për elbasanllintë, por për mbarë vendin si edhe më gjerë. Tashmë në këtë zonë të pikturuar nga natyra po merr jetë projekti “Funari Adventure Park” ku po vazhdojnë punimet për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km të shtigjeve malore dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve që do t’i japë padyshim zhvillimin e shumëpritur një prej perlave turistike të Elbasanit, që sigurisht pa vizionin, këmbënguljen dhe vullnetin e Bashkisë dhe partnerëve të saj të ngushtë nuk do të ishte i mundur financimi i drejtpërdrejtë i Bashkimit Evropian. Punimet kanë nisur në Cërrujë të Elbasanit, të Njësisë Administrative Funar, ku po implementohet një nga projektet më të mira për zhvillimin e turizmit, në bashkëpunim me BE, me fondet IPA Crosporter dh të Maqedonisë së Veriut, por edhe me “Tjetër Vizion” i cili po zbaton edhe projektin, tashmë punimet janë në fazën përfundmitare të pistës së parashutizmit në Njësinë Administrative Funar në fshatin Cerrunjë. Sipas z. Llatja ” kjo është pista më e madhe që po bëhet në shqipëri, ku janë 3000 m2 të rehabilituara totalisht të shtruara me tapetin sipas standartit më të mirë ndërkombëtar, për të pasur një turizëm të qëndrueshëm në Elbasan. Ne nuk kemi parë vetëm zhvillimin e vogël turistik, por kemi parë qëndrueshmërinë e tij, dhe qëndrueshmëria e turizmit është kjo që ne po bëjmë, të zhvillojmë Funarin, Gjinarin, Elbasanin, Ad Cuintumin, të zhvillojmë pikat tona kryesore që i kemi turistike”.
Kur ishte komunë, shumë pak turistë vendas por edhe të huaj e vizitonin Funarin, ndërsa vitet e fundit me marrjen nën administrim të Bashkisë së Elbasanit, kjo zonë është bërë tepër e vizitueshme. Ishte një iniciativë për t’i dhënë zonës atë që me të vërtetë meritonte, emrin “Funari Turistik”, duke shpallur edhe datën 26 mars ditë feste për promovimin e turizmit në këtë zonë, si edhe kthimin e kësaj feste në traditë.
Funari, së shpejti destinacion turistik edhe për sportet e aventurës në vend
Maja e Korrës, në Funarin e resurseve dhe turizmit të mrekullueshëm, shumë shpejt do të kthehet në një destinacion turistik për sportet e aventurës në Shqipëri dhe Rajon. “Shumë shpejt do të marrë formë ambicia jonë për ta shndërruar këtë perlë mahnitëse natyrore në pikën më të rëndësishme turistike për sportet e aventurës në Shqipëri dhe rajon”, pohon kryebashkiaku Gledian Llatja. Duke nisur nga Maja e Korrës do të hapen shtigjet malore me qëllim që Funari të lidhet me Labinotin Fushë dhe Elbasanin. Janë rreth 70 kilometra shtigje që do të hapen për këmbësorët, për të apasionuarit e sportit, për mjetet, si edhe për biçikletat. Është një gamë e gjerë e aktiviteteve të cilat programohen në Njësinë Administrative Funar.
RRUGA
Për të shkuar në Funar duhet të përshkosh një rrugë të gjatë, me shumë fshatra. Së pari të përshëndet përroi i Zaranikës, dhe në rrëzë të saj qëndron si relike e vjetër, por funksional edhe sot, Mulliri i Ndreut. Ka mbi 100 vjet që është ngritur dhe ka qenë gjithmonë në shërbim të malësorëve të zonës. Këtu vinin dikur fshatarët nga Braneshi e Bixëllenja, Rrila e Bashabuni me kafshët e ngarkuara me nga dy thasë të mbushur me misër e prisnin radhën me orë të tëra për të bluar.
HISTORIA
Nga kjo zonë kanë dalë edhe shumë burra të mençur që kanë lindur e jetuar këtyre anëve. Emrat e tyre përmenden edhe sot. Selim Meta nga Balza e dha jetën në përpjekje me forca diversante, pak kohë pasi ishte çliruar vendi nga pushtuesit, dhe u përjetësua në këngën e solistëve elbasanas. Në Mollagjesh u hap shkolla që në vitin 1932, si një ndër shkollat e para pas asaj “Normale” dhe pas dy të tjerave, njëra hapur në Shpat të Elbasanit e tjetra në Vrap të Peqinit. Dy burrat e Mollagjeshit, Isuf Deliu dhe Sali Çela, morën udhën në këmbë drejt Ministrisë së Arsimit të kohës dhe siguruan pas një argumentimi këmbëngulës një dokument për hapjen e shkollës. Dhe ndonjë skeptiku, që nuk pranonte të sillte fëmijën në shkollë, Sali Çela iu përgjigj me shembullin e tij konkret. Ai i preu flokët njësoj si një djali vajzës së tij të vetme dhe e dërgoi atë i pari në dhomën me lagështirë që shërbeu si shkollë fillimisht. Duke marrë shkas nga përshkrimi që të përcjell Funari, mund të thuhet me plot bindje se Funari ka gjithçka që vendet e tjera nuk e kanë.