Në Gjermani, 30 mijë shqiptarë. Schmidt: Nuk kanë asnjë mundësi
Në një intervistë telefonike për "Top Channel", Presidenti i Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët në Gjermani, Manfred Schmidt ka paraqitur një pasqyrë të situatës aktuale të azilkërkuesve në Gjermani, ku vetëm në pak kohë, 30 mijë prej tyre janë nga Shqipëria. E ky numër është shqetësues.
“Ne kemi një numër shumë të madh azilkërkuesish këtu në Gjermani. Gjatë këtij viti kemi llogaritur që kanë ardhur 450 mijë të tillë. Kryesisht, vendi nga vijnë më së shumti është Siria, por ajo që ne na shqetëson më tepër aktualisht është se vendi i dytë nga vijnë ata është Shqipëria. Për një kohë të shkurtër na kanë ardhur rreth 30 mijë aplikues. Këta azilkërkues nga Shqipëria kanë mundësi shumë të pakta për të fituar të drejtën e azilit në Gjermani. Arsyet që paraqesin ata për të kërkuar azil janë shumë të dobëta”, tha Manfred Schmidt.