Në Gjykatën e Posaçme kërkohet të vijë Ervis Martinaj si dëshmitar!

Fati i Ervis Martinajt nuk dihet. E kanë zhdukur apo është vetzhdukur, pyetje pa përgjigje. Ndërkohë gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha ka thënë se Ervis Martinaj e kanë zhdukur bandat rivale.

Në GJKKO u zhvillua këtë të mërkurë seanca ndaj Leonard Dukës, i akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos. Gjatë procesit u diskutuan provat e mbledhura dhe dëshmitë e dhëna. Avokatja e Leonard Dukës ngriti dyshime për mënyrën si u trajtua dëshmia e Blendi Tetës, teksa pati edhe përplasje me përfaqësuesit e prokurorisë. Ajo kërkoi thirrjen e disa dëshmitarëve, përfshirë edhe Ervis Martinajn, fati i të cilit nuk dihet prej tre vitesh.

“Prokurori e ka marrë në pyetje Blendi Tetën në një seancë tjetër duke i thënë të mos deklarojë. Kjo është në shkelje të ligjit. Kërkojmë të thirren oficerët dhe të deklarojnë se kush ia kërkoi shoqërimin e Blendi Tetës në një tjetër sallë? Për kodet e SKY ECC, kërkojmë të dimë nëse kodi që pretendohet se është përdorur nga Leonard Duka, është përdorur vetëm nga një person apo nga disa? Kërkojmë të pyetet Erlis Duka, Leonard Duka, Ervis Martinaj etj., nëse janë përdorues të SKY ECC, apo në rast se i qëndrojnë provave të sjella nga organi i akuzës. Kërkojmë të thirret edhe Muhamed Duka, babai i Leonard Dukës, për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen e pretenduar”.

“Për pretendimin e avokates për kontaktimin tim me Blendi Tetën, është e vërtetë që e kam kontaktuar. Nuk ka asnjë pengesë ligjore këtu. Tjetra, mënyra e identifikimit të aplikacionit SKY ECC është ajo e policëve gjyqësorë, nuk ka ndonjë mënyrë tjetër. Për thirrjen e personave për të dhënë dëshmi, nuk dihet akoma fati i Ervis Martinajt, vendndodhja e tij për më tepër. Disa prej atyre që kërkohen nga avokatja janë pjesë e këtij gjykimi. Leonard Duka mund të dëshmojë patjetër. Të tjerët janë të pabazuar”.

Gjykata e Posaçme vendos rrëzimin e kërkesës për thirrjen e punonjësve të policisë në këtë proces. Për thirrjen e dëshmitarëve, gjykata thotë se në momentin që do të ketë njoftim nga policia për kapjen e tyre, atëherë mund të paraqiten për të dëshmuar. Për Ervis Martinaj, thanë togat e zeza, nuk ka të dhëna për vendodhjen e tij. Ndërsa për Muhamet Dukën, gjykata pranon kërkesën e mbrojtjes që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit.

Seanca e radhës u la për në datën 24 qershor, ora 09:00.

SHKARKO APP