Në Hagë për kufirin detar, Bashkurti jep alarmin për rrezikun
Vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, diplomati Lisien Bashkurti e cilëson takim pozitiv duke shtuar se zgjidhja e kufirit detar do të hapë për dy vendet mundësi për shfrytëzimin e resurseve të gazit dhe naftës. Diplomati e quan pozitive gjetjen e gjuhës së përbashkët me Greqinë për të zgjidhur çështjen e kufirit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Nga ana tjetër, ai thotë se në praktikën diplomatike zgjidhja e këtyre çështjeve kalojnë përmes 4 institucioneve: negociatat që është zgjidhja më e mirë dhe më e qëndrueshme, ngritja e komisioneve ndërkombëtare, arbitrazhi dhe zgjidhja përmes gjykatës ndërkombëtare.
“Në këtë rast duket se pala shqiptare dhe greke kanë shkuar në instancën e fundit. Procesi ka filluar në vitin 2006 që prodhoi një marrëveshje që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Metodologjia ishte e pasaktë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pas kësaj palët janë kontradiktuar jo vetëm faktorët brenda mes Shqipërisë por edhe me faktorët e jashtëm, Greqinë”, tha për ”Euronews”.
Sipas Bashkurtit, zgjidhja e çështjes në Gjykatën e Hagës kërkon një projekt nga ana e Shqipërisë, gjë që deri tani mungon. ”Ka qenë shumë e vështirë me sa duket për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve. Kjo është zgjidhja më e lehtë nga pikëpamja teknike pasi nuk implikon aktorët e brendshëm por nuk është zgjidhja ideale. Në gjykatë shkohet me projekt, pala shqiptare nuk ka një projekt të mirëfilltë se si e shikon nga pikëpamja e saj zgjidhjen e problemit”, theksoi diplomati.