Në kërkim për rrëmbim në Norvegji, arrestohet në Tushemisht 35-vjeçarja nga Ohri
Interpol Tirana ka arrestuar një 35-vjeçare nga Ohri i Maqedonisë së Veriut e cila ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze
Ajo është prangosur në pikën kufitare të Tushemishtit falë bashkëpunimit me Interpol Norvegjinë dhe Policinë Kufitare dhe do të ekstradohet në shtetin e Norvegjisë.
Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Oslo Norvegjia, për krime të kryera kundër familjes dhe rrëmbim.
”Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Norvegjinë dhe Policinë Kufitare, vihet në pranga një shtetase në kërkim ndërkombëtar. Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Norvegjisë 36-vjeçarja e shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime familjare. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë të mundur arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Norvegjisë të shtetases A. M., 35 vjeçe, banuese në Ohër, Maqedonia e Veriut. Nga verifikimi i kryer në sistem, rezultoi se kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Oslo Norvegjia, për krime të kryera kundër familjes/rrëmbimit, në Norvegji.” – njofton policia.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e saj drejt Norvegjisë.