Në mes të emergjencës, Kuvendi miraton fiskalizimin, Denaj: Ja katër fazat e procesit, nis me 1 korrik 2019

Në kulmin e gjendjes së emergjencës kombëtare të krijuar nga tërmeti i datës 26 nëntor, Komisioni Ekonomisë miratoi sot Projektligjin për fiskalizimin.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi projektligjin para deputetëve të komisionit, i cili sjell një sërë risish për bërjen e biznesit në vend dhe avancon proceset operacionale të biznesit dhe administratës tatimore.

Denaj tha se, sipas vlerësimeve të ekspertëve fiskalë, zbatimi i plotë i projektit të Fiskalizimit do të sigurojë një rritje të të ardhurave nga TVSH me rreth 20-30 % krahasuar me TVSH-në e brendshme që arkëtohet aktualisht. Në terma sasiorë, të ardhurat pritet të rriten rreth 10 miliard lekë ose me rreth +0,5 – 0,6 % të PBB-së.

Objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është që, në terma afatmesëm 3-4 vjeçarë të implementimit të plotë të Projektit të Fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH të arrijnë mbi 9,2 % e PBB-së.

Ministrja Denaj informoi se procesi i Fiskalizimit do të realizohet në disa faza, ku faza e parë prek transaksionet me para në dorë Biznes-Konsumator dhe parashikohet të nisë zbatimin në datën 1 korrik 2020.

“Duke qënë se operatorët e përfshirë në këtë fazë do të jenë rreth 80 mijë biznese të cilët do të kalojnë nga sistemi aktual i kasave te projekti i fiskalizimit, u gjykua se një periudhë tranzitore prej 6 muaj do të ishte mëse e mjaftueshme për të lehtësuar tranzicionin. Për këtë arsye nga 1 janar 2020 deri në fund Qershori 2020, bizneset do të kenë mundësi të përdorin njërin nga sistemet. Prej datës 1 korrik 2020, të gjithë bizneset detyrimisht duhet të zbatojnë ligjin e fiskalizimit dhe dispozitat e tij”, sqaroi j. Denaj.

Faza e dytë e Fiskalizimit prek transaksionet pa para në dorë Biznes – Qeveri dhe do të fillojë nga data 1 janar 2021;

Faza e tretë prek transaksionet pa para në dore Biznes –Biznes dhe do të fillojë të zbatohet nga data 1 korrik 2021, ku monitorimi i pagesave të këtyre transaksioneve do të realizohet nëpërmjet sistemit bankar;

Faza e katërt përfshin ngritjen e regjistrit të aseteve të biznesit dhe do të fillojë zbatimin gjatë vitit 2020.

SHKARKO APP