Në pallatin e Lefterit, fiqnjët tregojnë lidhjen me Floreshën: E rrihte për xhelozi, i shikonim…

Shtëpia ku jetonte me qira Lefter Zhidru është bërë shoshë nga plumbat është vulosur me shiritë nga policia. Aty u kthye vetëm një moment Floresha, bashkëjetuese e viktimës e cila pasi mori pakogjë, sende personale, u largua së bashku me të bijën. Arma e 71-vjeçarit nuk ishte lodër dhe as tritoli i paketuar. Për fqinjët, sjellja e viktimës nuk ishte aspak suprizë. ”Erdhën me qera në 2009. Që nga ajo kohë, në atë shtëpi kishte vetëm grindje. Ai e rrihte, ishte xheloz. Ndonjëherë Floresha mbyllej me javë dhe nuk dilte. Kur dilte, shikonim shenjat e saj”, shprehet një nga fqinjet. Sipas saj, çifti ishin të dy të çuditshëm.

”Ata shaheshin, bërtisnin. Përherë e më rrallë dilnin nga shtëpia. Gjatë pandemisë, Lefteri rralloi daljet, ndërsa e shoqja zbriste ose për të çuar vajzën në shkollë ose kur blinte ushqime. Nuk e di me çfarë jetonin, me çfarë të ardhurash, por ata ishin problem për ne. Policia ishte vënë në dijeni”, shton një tjetër fqinje.

Gjendja sipas komshinjve ishte bërë e padurueshme dy vite më parë, kur i moshuari mbante gjysmë të hapur derën e shtëpisë dhe qëndronte në errësirë me një levë në dorë. “Para pak muajsh ata shitën disa hekurishte që i mbanin në ballkon prej kohësh, ata jetonin në kushte të vështira”, tregon shitësja e lagjes sipas të cilës gjendja mendore e të dyve u rëndua nga problemet ekonomike që po hasnin dhe nga xhelozia e Lefterit që dyshonte se gruaja po e tradhëtonte.

Megjithatë njëri prej fqinjëve nuk iu shmang dot dhe një ditë u gjend përballë të moshuarit që nga ballkoni i bërtiti të largohej nga makina e tij. “U habita, i thashë që jam në rrugë, s’kam punë me makinën tënde dhe pastaj u zumë”, thotë fqinji.

Nga kërkimet e tyre, fqinjët kishin zbuluar se i moshuari dhe partnerja e tij 45-vjeçare kishin jetuar edhe në një lagje tjetër në Elbasan, në lagjen “5 Maji” dhe pas konflikteve fqinjët e mëparshëm i kishin larguar prej andej. Banorët panë brenda pak minutash se si forcat Shqiponja trokitën për ta marrë në polici të moshuarin për sqarim dhe ai u përgjigj me breshëri automatiku që bënë shoshë derën e shtëpisë ku ai jetojte dhe derën e komshinjve ngjitur.

Marrë nga /Gazeta SI/

SHKARKO APP