Në PD ndizen debatet: Kush është ministri i Berishës që financoi PS­-në?

Deklarata e kreut të PD-­së për Gjirokastrën, Roland Bejko, se një ish­-ministër i Berishës ka financuar PS-­në në këto zgjedhje dhe 5 të tjerë kanë punuar kundër Halim Kosovës, ka ndezur debatet brenda Partisë Demokratike.

Jemin Gjana ka kërkuar nga Bejko që të japë emra.

“Nuk do e lodhja gishtin se mendjen duket se pak ia vlen me e lodh. Mirëpo kur hasesh në komentues që pasi i kanë ba të gjitha rolet, dalin nga udha e japin leksione, nuk rri dot të lexoj pa thënë një mendim: Ej burra dhe gra, a ban me folë me emra e me çështje te prekura rast pas rasti, se kështu duke i pshurrur të gjithë mos ta mendojë askush veten të palagur. Po të ishin disa pak me vese dhe gjithë pjesa tjetër me virtyte, ne do ishim tjetërsoj sot pas 25 vitesh. Në vitet ‘91 dhe ‘92 e kam pasur rastin të marr leksione amerikanësh në Parlament. Ata ishin politikanë të moshuar, mbushur me eksperiencën e një vendi të lirë në kuptimin e plotë të fjalës. Na thonin: “sa vite keni qenë nën komunizëm, aq vite u duhet të dekomunistizoheni”. Ne na dukeshin fjalët e tyre jashtë realitetit. Po më vërtetohen ato fjalë dita­ ditës”, thotë Gjana.

Por Bejko përgjigjet duke thënë se nuk është etike që të përmendë emra.

“Në respekt të shumë qytetarëve që më kërkojnë të jap emrat, madje edhe të gazetarëve që më kanë telefonuar lipset të sqaroj se: Nuk e kam problem të përmend emrat, por më duket jo etike. Qëllimi i këtij statusi nuk është të bëj “fletërrufe” para opinionit publik për sjelljet dhe qëndrimet politike të dikujt në zgjedhjet e fundit lokale. Qëllimi i këtij statusi është të them se në demokraci lëvizja nga njëri krah politik në tjetrin, mund të jetë “legjitime”, por ama jo ç’do gjë që është “legjitime” është me pa tjetër dhe morale. Ky është synimi i statusit tim, pastaj sekush ka shembujt e vet, në nivel qëndror apo në atë lokal. Kjo pak rëndësi ka. Dihet që individualizmi për të djathtën është shumë i rëndësishëm, por kur individualizmi kthehet si qëllim në vetvete në natyrën e individualizmit thellësisht materialist (i njohur si individualizmi etik), duke shkelur mbi çdo normë, rregull, parim, ligj, kod etik apo moral, me parimin se pas meje qameti u bëftë, ai mbaron së qeni një individualizëm që noton në liri, për të qenë më tej një monstër e korruptuar! PD është forcë e qendrës së djathtë, dhe morali si parim dhe normë është dhe në mos është duhet të jetë ADN-­ja ekzistencialiste e saj”. 

SHKARKO APP