Në prag të kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të Kolegjit Universitar “Qiriazi”

Në prag të kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, në sallën “Charles R. Crane”, të këtij Kolegji në Kodër-Kamëz, u organizua ceremonia e dhënies së Medaljes “Mirënjohja e Përvjetorit të Artë”, z. Elmi Berisha, President i Federatës Panshqiptare “Vatra”, në SHBA.

“Medalja me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të Tij të çmuar dhe vlerat e treguara në drejtimin e Federatës Pan-Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “VATRA”. Personalitet i shquar,  me vizione dhe rol të spikatur për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Për konsolidimin e lidhjeve institucionale ndërmjet VATRA-së dhe Kolegjit Universitar “Qiriazi”, si vazhdimësi historike me ikonat e arsimit tonë kombëtar, Sevasti & Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, që janë trashëgimia e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, por edhe pjesë e historisë së Federatës Pan-shqiptare “Vatra””, e akorduar nga Senati Akademik, iu dorëzua nga Presidenti i këtij Kolegji, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj.

Në ceremoninë e dekorimit të z. Berisha, merrnin pjesë studentë dhe pedagogë të këtij universiteti. Të pranishëm ishin edhe Dr. Naim Dedushaj, drejtor i Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Hazis Vardar, biznesmen, kryetar i Rrjetit të Bizneseve në Francë, të cilët shoqëronin kryetarin e “Vatrës” në turneun e Tij. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe Robert Dako, nipi i Sevasti e Kristo Dakos dhe themelues i “Shkollës së Lartë Universitare Jopublike “Sevasti e Parashqevi Qiriazi”; Irfan Hysenbelliu, President i “Hysenbelliu Group”; Maksim Meço, rektor i Kolegjit Universitar “Qiriazi”; Kadri Morina, president i INSIG, biznesmen e humanist dhe shumë të tjerë.

  1. Berisha duke përshëndetur të pranishmit tha, se ndihet i nderuar që pikërisht nga Kolegji Universitar “Qiriazi” merr një vlerësim të tillë dhe se, dy institucionet tona, “Vatra” dhe “Kolegji Universitar Qiriazi”, mund të bëjnë më shumë për vlerësimin e figurave të trashëgimisë historike të Kolegjit Qiriazi, që janë njëkohësisht edhe emblema të Rilindjes dhe të arsimit kombëtar shqiptar. Përpara se të hapnin Institutin Femëror “Qiriazi” në Kodër-Kamëz, motrat Qiriazi dhe Kristo Dako, dhanë një kontribut të çmuar në organizimin e mësimit të gjuhës dhe të shkrimit shqip, në mesin e diasporës të Shteteve të Bashkuara.

Historia e “Vatrës” 110 vjeçare është e lidhur ngusht me historinë e Kolegjit “Qiriazi” 100 vjeçar. Kristo Dako, si një ndër drejtuesit dhe themeluesit e Vatrës dhe redaktor i organit të Vatranëve “Dielli”, është edhe ndër tre themeluesit e Institutit Qiriazi, bashkë me bashkëshorten e tij Sevasti Dako (Qiriazi) dhe Parashqevi Qiriazin. Të dy institucionet kanë histori unike: “Vatra”, një ndër shoqatat e shumta që u krijuan në periudhën e Rilindjes kombëtare (rreth 150 vetëm në territorin e Shteteve të Bashkuara), është e vetmja shoqatë që funksionon edhe sot, që ka një veprimtari të pandërprerë patriotike. Që ka punuar e punon pa reshtur për çështjen kombëtare, që lobon deri në kancelaritë më të fuqishme të botës për integrimin e Shqipërisë amë dhe të Kosovës në institucionet demokratike ndërkombëtare. Qysh në themelimin e saj, më 1912, rreth “Vatrës” u mblodhën burrat më të mençur e më të zotët që kishte Shqipërisa në diasporë. Puna e “vatranëve” ka qenë vendimtare në momentet kyçe që ka kaluar Shqipëria dhe kombi shqiptar. Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kristo Floqi e dhjetra të tjerë rilindas, bashkuan përpjekjet e tyre për të garantuar paprekshmërinë e kufinjve të Shqipërisë fill pas shpalljes së Pavarësisë: nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër e deri në Konferencën e Paqes në Paris, duke “zënë” miq të mëdhenj për t’u besuar fatin e vendit të tyre. Veprimtaria e “Vatrës” qe intensive edhe në lobimin e çështjes së Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë së saj. Gjatë kësaj periudhe, Elmi Berisha, presidenti sotëm i “Vatrës”, ka qenë këshillari i njërit prej zëvëndëspresidentëve amerikan.

Kolegji Universitar “Qiriazi”, i vetmi universitet në Shqipëri që është i prejardhur prej stadeve të tjera të po këtij institucioni. I themeluar si “Shkolla e Vashave” në Korçë më 1891, përpara 131 viteve dhe i rihapur në Tiranë (Kodër-Kamëz), në vitin 1922, si “Institut Femrëror”, ai është unik në historinë e arsimit të lartë në Shqipëri. Duke u rikthyer në identitet pas vitit 1991, u themelua si “Shkollë e Lartë Universitare”, nga nipi i Sevasti e Kristo Dakos, Robert Dako, për të ardhur në këtë 100 vjetor në Tiranë, si “Kolegji Universitar Qiriazi” nën drejtimin e Prof. Gjokë Uldedaj.

Ky takim ceremonial, që nuk përbën “fletën” e parë e as të fundit, të bashkëpunimit e të respektit të ndërsjelltë midis dy institucioneve të moçme, na kujtoi “fillin” që lidh “Vatrën” me “Qiriazin”: Kristo Dako, i cili ka qenë pjesë e drejtimit të të dy institucioneve, por jo më pak edhe Sevasti Dako, që luajti një rol afrues midis faktorit shqiptar në diasporë dhe e motra Parashqevia, që përcolli mesazhe paqeje midis “Vatrës” dhe “Partisë Politike”, dy shoqata të shqiptarëve të Amerikës, që lobuan fort në Konferencën e Paqes në Paris. Ndërkohë Parashqevi Qiriazi qe e vetmja fermër si pjesëmarrëse në këtë Konferencë.

Dy “pasardhësit” e Kristo Dakos (gjykuar prej institucioneve që drejtojnë sot), Gjokë Uldedaj dhe Elmi Berisha, garantuan se “Kolegji Universitar Qiriazi” dhe “Vatra”, do të jenë gjithmonë e më tepër në krah të njëra-tjetrës, për përmbushjen e misionit të tyre dhe si kontributore në realizimin e projekteve të përbashkëta.

SHKARKO APP