Në prag të provimeve, studentët letër ministres Kushi: Përgjysmo tarifat e studimit
Në prag të provimeve të cilat ende nuk dihet sesi do të zhvillohen, studentët i kanë dërguar një letër ministres së Arsimit, Evis Kushi. Studentët e Ekonomikut kanë reguar në lidhje me mandat-pagesat e tarifave të studimit, që për ta është një njoftim i nxituar dhe i pakonsultuar për mundësinë e rishikimit të tarifave të studimit. ”Nisur nga kushtet në të cilat shkoi ky vit mësimor, ne e shohim të udhës që tarifat e studimit të të dyja cikleve të studimit Bachelor dhe Master të përgjysmohen pa dallim për të gjithë studentët”,-thuhet në letrën e tyre.
Letra e plotë
Drejtuar: Znj, Evis Kushi, Ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve
Duke marrë shkas nga një njoftim i bërë publik në faqen e Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në lidhje me mandat-pagesat e tarifave të studimit, konstatojmë se ky është një njoftim i nxituar dhe i pakonsultuar për mundësinë e rishikimit të tarifave të studimit.
Nisur nga kushtet në të cilat shkoi ky vit mësimor, ne e shohim të udhës që tarifat e studimit të të dyja cikleve të studimit Bachelor dhe Master të përgjysmohen pa dallim për të gjithë studentët.
Këtë kërkesë ne e bazojmë dhe argumentojmë duke sjellë në vëmendje cilësinë e shërbimit të mësimdhënies online.
Për ne është e papranueshme që të paguajmë tarifa të plota studimi, për një vit akademik kur:
1- Shumë familje u prekën ekonomikisht nga pandemi, duke humbur edhe punën e tyre. Në mungesë të të ardhurave, bëhet e pamundur pagesa e plotë e tarifës së studimeve.
2-Gjithë vitin akademik nuk kemi qenë në auditore dhe jemi detyruar të paguajmë paketa interenti për të patur akses në mësimin online, dhe përsëri ka qenë e pjesshme.
3- Krahasimisht me procesin mësimor në auditore, mësimi online ka qenë diskriminues dhe i paplotë.
Bazuar në argumentet e parashtruara më sipër ne kërkojmë që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në bashkëpunim me instancat e tjera të Arsimit të Lartë përgjegjëse për administrimin e buxhetit të bëjnë të mundur përgjysmimin e tarifave të studimit për të dyja ciklet Bachelor dhe Master për këtë vit akademik.
Në pritje të përgjigjes tuaj.