Në prag të vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës masa të shtuara për shkollat
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2026–2027, Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për të garantuar fillimin e rregullt dhe të sigurt të procesit mësimor në institucionet arsimore të kryeqytetit.
Përmes një urdhri të Bashkisë së Tiranës ngarkohen institucionet e saj të varësisë të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë veprimet me institucionet arsimore, Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe strukturat e tjera përgjegjëse me qëllim zgjidhjen në kohë të çdo nevoje.
Një nga pikat kryesore të urdhrit lidhet me gjendjen dhe mirëmbajtjen e shkollave. Strukturat përgjegjëse duhet të verifikojnë gjendjen fizike të godinave, përfshirë çatitë, dritaret, dyert, shkallët, korridoret dhe ambientet e përbashkëta, si dhe funksionimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe pastrimit, ku kërkohet furnizimi me materiale higjieno-sanitare dhe mirëmbajtjen periodike të klasave, korridoreve, ambienteve sanitare dhe oborreve.
Masa të posaçme parashikohen edhe për sigurinë e nxënësve, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen në zona me qarkullim të lartë. Strukturat përgjegjëse duhet të verifikojnë sinjalistikën rrugore, vijëzimet, ndriçimin dhe elementet e tjera të sigurisë pranë institucioneve arsimore, ndërsa parashikohen kontrolle periodike për garantimin e rendit dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Në urdhër përfshihen edhe masa për gjelbërimin dhe mirëmbajtjen e oborreve të shkollave, kontrollin e pemëve dhe bimësisë, si dhe eliminimin e çdo rreziku të mundshëm për nxënësit.
Një tjetër pikë lidhet me transportin dhe aksesueshmërinë, ku kërkohet kontrolli i funksionimit të transportit shkollor dhe i rrugëve të aksesit drejt shkollave. Për zonat rurale ose të vështira për t’u aksesuar, parashikohen masa të posaçme për garantimin e transportit të sigurt të nxënësve.
Bashkia kërkon gjithashtu bashkëpunim me institucionet arsimore për identifikimin e fëmijëve dhe familjeve në nevojë, parandalimin e braktisjes shkollore dhe mbështetjen e rasteve që kanë nevojë për trajtim social.
Në fokus janë edhe masat kundër zjarrit dhe emergjencave, furnizimi normal me ujë dhe energji elektrike, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm mes drejtuesve të shkollave dhe strukturave të Bashkisë.
KOHA JONË SONDAZH

