Në pranga 7 persona, vendosën tritol në makinë pas një porosie nga burgu
I burgosuri Sabah Nuzi dyshohet se nga burgu urdhëroi vendosjen e tritolit në automjetin në pronësi të Oltjon Klosit. Policia thotë se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 10 mars në Tiranë, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në makinën e Klosit.
Në pranga kanë rënë shtatë persona, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal që organizoi ngjarjen, ndërsa 33-vjeçarit Sabah Nuzit iu komunikua akuza në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Fushë Krujë. Sabah Nuzi ka urdhëruar vendosjen e tritolit në makinën e Oltjon Klosit, sepse ky i fundit nuk i kishte shlyer një borxh. Sipas policisë, dyshohet se paratë buronin nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.
Lënda shpërthyese në makinë u vendos nga Jurgen Gjonaj. Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti e kanë ndihmuar duke siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën lëvizte autori, banesën ku ai u strehua dhe sasinë e lëndës eksplozive që u përdor. Tre anëtarët e tjerë, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla, dyshohet se e kanë transportuar me makinë autorin e vendosjes së tritolit. Këta të fundit akuzohen për përkrahje të autorit të krimit.
KOHA JONË SONDAZH

