Në pranga dy “skifterë” nga Laçi, vidhnin bagëtitë në Kavajë

Një 26-vjeçar dhe 40-vjeçar nga Laçi janë arrestuar nga policia pasi ishin kthyer në makthin e fshatarëve të Kavajës. Gergj Keli, lindur në Ulëz dhe banues në Laç  dhe Gjevahir Ceka, lindur në Stojan dhe banues në Mamurras u arrestuan si rezultat i finalizimit të operacionit “Skifteri”.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me të tjerë bashkëpunëtorë kanë vjedhur në vazhdimësi në fshatrat e rrethit të Kavajës disa bagëti (lopë dhe viça). Ata u arrestuan në flagrancë rreth orës 03:00 në fshatin Rrikaj në Kavajë pasi kishin vjedhur lopët e tre familjeve.

Policia ka sekuestruar lopët e vjedhura dhe automjetin që përdorej nga dy grabitësit. Gjithashtu ka rezultuar se, Keli dhe Ceka janë autorë të vjedhjes së lopëve dhe të dy familjeve të tjera.

Policia po punon për të bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e të tjerë bashkëpunëtorëve për vjedhjet e kryera në territorin e rrethit Kavajë.

SHKARKO APP