Në pronësi të kushëririt të Ervis Martinajt? Gjendet një makinë e mbushur me armë zjarri në Sauk

Policia e Tiranës ka gjetur një automjet të parkuar në zonën e Saukut.

Uniformat blu bëjnë me dije se brenda saj u gjetën një pistoletë, një automatik me krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.

Dyshohet se ky automjet është në pronësi të Emiljano Ninës, kushëriri i ish-kreut të lojërave të fatit në vend, Ervis Martinajt.

”Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat:

Në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E. N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë), i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi O. Gj., 37 vjeç.

Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. N., dhe po punohet për kapjen e shtetasit O. Gj.”, njofton policia.

SHKARKO APP