Në shënjestër mijëra kompjutera në gjithë botën, SHBA zbulon rrjetin e spiunëve: Ja kush fshihet pas tyre
Prokurorët amerikanë njoftuan për akuza penale të mërkurën kundër pesë kinezëve dhe dy binezmenëve malajzianëve të dyshuar si hakera, në lidhje me ndërhyrjet kibernetike vitet e fundit ndaj mbi 100 kompanive dhe entiteteve të tjera në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Aktiviteti i dyshuar i tyre nga fillimi i vitit 2014 deri në gusht 2020, vinte në shënjestër mijëra kompjutera në gjithë botën, përfshirë rrjetet kompjuterike të disa kompanive në industrinë me vlerë 1 miliardë dollarë të lojrave elektronike, që shkaktoi miliona dollarë humbje, thanë zyrtarët e rendit.
Pesë kinezët që mendohet të jenë anëtarë të grupit të hakerave APT-41, vazhdojnë të jenë të lirë.
Dy biznesmenët malajzianë u arrestuan në Malajzi të dielën. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ekstradimin e tyre, një proces që mund të zgjasë me muaj. Ata akuzohen se kanë bashkëpunnuar me me dy nga hakerat kinezë për të shitur monedha lojrash elektronike dhe objekte të tjera të vjedhura nga zhvilluesit e lojrave elektronike në Shtetet e Bashkuara, Francë, Japoni, Singapor dhe Korenë e Jugut.
Tre të dyshuarit e tjerë përballen me akuza për ndërhyrje në rrjetet kompjuterike të mbi 100 kompanive, organizatave dhe individëve në Shtetet e Bashkuara dhe gjithë botën, përfshirë Australinë, Brazilin, Kilin, Hong Kongun, Indinë, Indonezinë, Japoninë, Malajzinë, Pakistanin, Singaporin, Korenë e Jugut, Taivanin, Tailandën dhe Vietnamin.
Përveç kësaj, tre personat dyshohet të kenë komprometuar rrjete kompjuterike të qeverisë në Indi dhe Vietnam dhe u përpoqën pa sukses të depërtonin në rrjetet kompjuterike qeveritare në Britani, sipas akuzës.
Akuzat për shtatë personat ishin përfshirë në tre akt-padi në gusht 2019 dhe gusht 2020 dhe që u bënë publike të mërkurën.
Aktivitetit e grupit APT-41 datojnë që nga viti 2012, kur anëtarët e tij vinin në shënjestër industrinë e lojrave elektronike para se të kalonin në spiunazh tradicional. Gjasat janë që e bënte një gjë të tillë me urdhër të qeverisë kineze, thotë John Hultquist, drejtor i lartë për analizën në firmën e sigurisë kibernetike, FireEye’s Mandiant.
“Është një aktor i veçantë, që kryen spiunazh kibernetik duke kryer njëkohësisht aktivitet criminal”, thotë zoti Hultquist.
Zyrtarët amerikanë thanë se ndërsa operacioni i hakerimit nuk ishte i sponsorizuar nga shteti, ai kishte miratimin e heshtur të qeverisë kineze.
Duke shpallur akuzat në një konferencë shtypi virtuale, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Jeffrey Rosen dhe zyrtarë të tjerë të rendit tha se Kina lehtëson kryerjen e krimit kibernetik.
“Departmenti i Drejtësisë ka përdorur çdo instrument në dispozicion për të frenuar ndërhyrjet e paligjshme në kompjuterike dhe krimet kibernetike të këtyre qytetarëve kinezë. Për fat të keq, partia komuniste kineze ka zgjedhur një tjetër rrugë: që ta bëjë Kinën të sigurt për kriminelët kibernetikë, përsa kohë që ata sulmojnë kompjuterat jashtë Kinës dhe vjedhin pronë intelektuale që ndihmon Kinën”, tha zoti Rosen.
Akt-paditë janë të fundit në një sërë akuzash kundër hakerave të dyshuar kinezë dhe vijnë mes tensioneve në rritje mes Shteteve të Bashkuara Kinës lidhur me pandeminë e koronavirusit, tregëtinë dhe çështjen e Hong Kongut. Në korrik një juri e madhe federale ngriti padi ndaj dy hakerave të dyshuar kinezë me akuzën për një “fushatë globale ndërhyrjeje kompjuterike” që kishte zgjatur 10 vjet dhe kishte vënë në shënjestër qindra entitete, përfshirë qeveri, organizata joqeveritare dhe kompani që zhvillojnë vaksina dhe trajtime për koronavirusin.
Ashtu si ata të grupit APT-41, dy hakerat në atë rast, ishin akuzuar se kishin vjedhur pasuri intelektuale për përfitime personale dhe të qeverisë kineze.
Presidenti amerikan Donald Trump ka fajësuar vazhdimisht Kinën për përhapjen e koronavirusit dhe zyrtarë të lartë të administratës kanë akuzuar publikisht Kinën për ndërhyrje kibernetike dhe akte të tjera keqdashëse në skenën globale në mbështetje të interesave të saj strategjike.
Kina prej kohësh i ka hedhur poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara. VOA