Balla: Anti KÇK-në e mbështet Angela Merkel dhe SHBA

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se akti normativ për paketën “Anti-KÇK” do të kalojë në Kuvend, pasi sipas tij, ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Balla foli në emër të kreut të qeverisë Edi Rama dhe tha se kjo paketë ligjore ka marrë miratimin e kancelares Angela Merkel dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Përgjigjja është në Kushtetutë. Akti normativ miratohet ekzakt, siç ka ardhur. Duhet të kuptoni që grupi i PS e mbështetë tërësisht aktin normativ, propozuar nga qeveria e Ramës, dhe është një hap i rëndësishëm, i cili çdo ditë që kalon ka mbështetjen e qytetarëve shqiptarë, si dhe të partnerëve të rëndësishëm të Shqipërisë. Qoftë në takimin me Merkel, qoftë në takimin me Pompeo, kjo paketë jo vetëm është prezantuar, po ka gjetur mbështetjen e partnerëve”,- tha Balla.

Duke folur për media, Balla tha se në skanerin e “Forcës së Ligjit” do të kalojnë të gjithë personat, që e kanë ngritur pasurinë e tyre nga aktiviteti kriminal, apo që kanë me terrorizmin, duke paralajmëruar se ditët dhe javët në vijim do të ketë goditje të çdo lloj pasurie, që mund të fshehë lidhje me terrorizmin.

Qëndrimin e opozitës kundër këtij ligji, Balla e cilësoi vetëvrasje politike. “Akti normativ do të kalojë ashtu siç ka ardhur, sepse është domosdoshmëri, që i bën mirë Shqipërisë dhe rrugës evropiane. Më vjen keq që rikonstatoj një vetëvrasje politike të opozitës, që kundërshton këtë akt, pra një stad të ri të luftës kundër krimit dhe terrorizmit. Fokusi i ligjit është edhe asete, apo llogari bankare, apo pasuri të tjera, që mund të jenë ngritur, nën mbështetjen e personave të lidhur me terrorizmin. Skaneri i këtij operacioni do të vijojë po njëlloj. Mos u habisni kur në ditët në vijim të keni goditje apo skanim të çdo lloj pasurie, që mund të fsheh lidhje me terrorizmin”, tha Balla.

SHKARKO APP