Në tetor nis vaksina e re e Rotavirusit, Manastirliu: Mos hezitoni t’ua bëni fëmijëve
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se nga 1 tetori në listën kalendarike të vaksinimit do të shtohet edhe një e re dhe se do tu shpallet luftë atyre prindërve që refuzojnë t’i bëjnë. Vaksina e Rotavirusit, e cila ka një kosto të lartë dhe është shumë e rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve që prektin traktin intestinal, ndër sëmundjet më të shpeshta tek fëmijët.
”Pas rekomandimeve të Këshillit Kombëtar të Vaksinimit dhe Komitetit të Ekspertëve, kemi rishikuar kalendarin e vaksinimit. Një vaksinë e re, Rotavirusi, do t’i shtohet kalendarit të vaksinimi duke filluar nga 1 tetori, duke e çuar në 12 numrin e vaksinave të detyrueshme dhe duke e përafruar kalendarin tonë me atë të vendeve të Bashkimit Europian”. Manastirliu mblodhi dje strukturat vendore të shëndetësisë për planin e masave në terren për forcimin e mbulesës vaksinale, në mënyrë që vaksinimi të shkojë te çdo fëmijë. ”Ne kemi një mbulesë vaksinale mbi 95% por kjo sdo të thotë që të mos merren masa për të ruajtur dhe ta përmirësuar atë, ndaj do të nisim një aksion të detajuar në terren që vaksinimi të mbërrijë te çdo fëmijë”.
Lidhur me planin e masave, ajo e vuri theksin te vaksinimi ”derë më derë” si dhe te kontrolli i pikave kufitare për identifikimin dhe izolimin në kohë të sëmundjeve infektive. ”Të gjitha këto masa duhet të shkojnë paralel me luftën që duhet të kemi me përhapjen e lajmeve të rreme, sidomos në rrjetet sociale, se vaksinat nuk janë efektive. Vaksinat janë të sigurta, ndaj një apel për ndërgjegjësimin e çdo prindi, për rëndësinë e vaksinimit”.
I pranishëm në takim, drejtori i Zyrës së Organzatës Botërore të Shëndetësore në Shqipëri, dr. Raul Gonzales Montero vlerësoi punën e strukturave të shëndetësisë përsa i takon aksesit në shërbime shëndetësore dhe e konsideroi një lajm shumë të mirë akreditimin e plotë të laboratorit të Institutit të Shëndetit Publik për Fruth-Rubeolën. ”Shqipëria ka një mbulesë të mirë vaksinale por si e gjithë Europa, edhe këtu po përballemi me steriotipe të gabuara lidhur me vaksinimin si pasojë e lajmeve të rreme që qarkullojnë për vaksinat, që dekurajojnë vaksinimin, i cili në fakt është i sigurtë dhe i domosdoshëm sepse shpëton jetë”.
KOHA JONË SONDAZH

