Negociata për Magjistraturën? Kryemadhi: LSI, kurrë pjesë e pazareve për të shpëtuar Ramën
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka qartësuar qëndrimin e palëkundur të LSI-së për tu mos u bërë pjesë e pazareve për të shpëtuar Edi Ramën dhe karrigen e tij kryeministrore.
Reagimi vjen pas deklaratës të kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili la të hapur mundësinë e negociatave me LSI-në për të votuar bashkë ligjin për Shkollën e Magjistraturës, por Kryemadhi i ka mbyllur sot derën kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim në rrjete sociale, kryetarja e LSI-së nënvizon se nuk ka marrëveshje apo bisedim ”për t’i zgjatur agoninë kësaj qeverie, që e zhytur në krim, trafiqe të paligjshme dhe korrupsion po përpiqet që në grahmat e fundit të mundet të shpëtoje me manipulime të tilla”.
Kryetarja e LSI-së, thotë se LSI-ja do të jetë pjesë e opozitës së bashkuar, me qëllimin e qartë dhe të saktë, largimin e pushtetit banditesk të Edi Ramës.
”Të shpëtosh sot Edi Ramën do të thotë të shkatërrosh përfundimisht të ardhmen e shqiptarëve, dhe këtë mëkat LSI nuk e merr në kurriz”,-shkruan Monika Kryemadhi.
Shkrimi i plotë i Monika Kryemadhit
LSI nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve për të shpëtuar Edi Ramën!
Asnjë marrëveshje apo bisedim nuk ka dhe nuk do të këtë për t’i zgjatur agoninë kësaj qeverie, që e zhytur në krim, trafiqe të paligjshme dhe korrupsion po përpiqet, që në grahmat e fundit, të mundet të shpëtoje me manipulime të tilla.
LSI ka qënë dhe do të jetë pro dhe pjesë e çdo takimi apo tryeze që trajton dhe diskuton përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe largimin e klikës së Edi Ramës.
Çdo përpjekje tjetër për ta përfshirë LSI në bisedime është thjesht pjesë e fantazisë së sëmurë të Edi Ramës, që sot më shumë se kurrë është i gatshem të blejë e të shesë çdo gjë e çdokënd në emër të pushtetit, por që duhet t’a ketë më shumë se kurrë të qartë, se për të shpëtuar karrigen e tij nuk do ketë kurrë ndihmën e LSI.
Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e opozitës së bashkuar, me qëllimin e qartë dhe të saktë, largimin e pushtetit banditesk të Edi Ramës!
Të shpëtosh sot Edi Ramën do të thotë të shkatërrosh përfundimisht të ardhmen e shqiptarëve, dhe këtë mëkat LSI nuk e merr në kurriz.
KOHA JONË SONDAZH

