Nënkryetari i PR flet për nismën e qeverisë: Suksesi i anti-KÇK varet nga mbështetja amerikane

Nënkryetari i Partisë Republikane, Blendi Sulaj, thotë se nisma e fundit e qeverisë shqiptare kundër pasurive të krimit, e quajtur ndryshe si anti-KÇK, mund të ketë sukses vetëm në rast se do të ketë vullnet politik dhe mbi të gjitha nëse do të ketë mbështetje nga SHBA.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Sulaj thotë se krimin e organizuar nuk mund ta luftojë një qeveri që ka pasur lidhje indirekte me krimin. Ai lë të hapur mundësinë për sukses të kësaj nisme ligjore vetëm për organizatat terroriste, pasi aty do të jetë vendimtare asistenca e partnerëve amerikan.

Sulaj, qeveria miratoi më një shkurt aktin normativ anti-KÇK. Në këndvështrimin tuaj, a i dublon ky akt institucionet e reja të drejtësisë?

Unë mendoj që çdo veprim kundër krimit të organizuar është një ogur i mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm që ky vrull mos të kthehet në një show mediatik, siç ka ndodhur së fundmi. Unë mendoj që ne kemi pasur që më parë një ligj që quhej në media ligji antimafia dhe ky ligj ishte shumë i mirë dhe nëpërmjet tij mund të operohej edhe tani, sepse me të vërtetë qeveria po bën shumë veprime, por këto veprime në nxitim e sipër përkthehen në veprime që bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë jo vetëm do detyrohesh të kthesh pronën, por do detyrohesh edhe të japësh dëmshpërblim.
Sipas jush, a janë gjyqtarët dhe prokurorët subjekt i këtij akti normativ?
Pasi deri tani kemi parë që formularët e deklarimit u janë dërguar vetëm të dyshuarve si pjesë të grupeve kriminale. Kryeministri Rama e di shumë mirë që nuk janë gjyqtarët e keqja e këtij vendi, por është politika e cila ka mbështetur masivisht krimin e organizuar. Z. Rama, indirekt, ka qenë promotor i krimit në politikë. Doni t’ju kujtoj për korrektësi të lexuesve që 15 a më shumë deputetë dhe kryetarë bashkie janë në krahun e PS-së dhe kanë rezultuar të dënuar më parë për vepra të rënda.
Mendoni se anti-KÇK do të ketë sukses?
Mendoj që çdo veprimtari që ndërmerret kur ka vullnet politik, mund të ketë sukses. Por, a mund të ketë sukses një organizim kundër krimit të organizuar, kur ai që e drejton nuk ka vullnet por është bashkë me ta indirekt?
A është në përputhje me Kushtetutën ky akt e mund ta rrëzojë Gjykata Kushtetuese kur të ngrihet?
Kjo është shumë e rëndësishme për t’u theksuar. Ka një sërë veprimesh procedurale të cilat do t’i lënë vend Gjykatës, e cila për individë të përfshirë në fshehje të pasurisë së ardhur nga para të dyshimta ose organizata kriminale, mund të dështojë. Unë mendoj që ky akt normativ do të ketë sukses me ndihmën e partnerëve tanë amerikanë vetëm në luftën kundër atyre që i përdorin paratë për efekte të veprave penale që lidhen me terrorizmin.

SHKARKO APP