”Nëntori i përgjakur” i shqiptarëve në Greqi, 6 të vdekur
Dy javët e fundit të nëntorit kanë qenë tragjike sa u përket shqiptarëve në Greqi. Në harkun kohor të 10 ditëve, 6 qytetarë shqiptarë kanë humbur jetën në shtetin fqinj, disa prej të cilëve të vrarë, e të tjerë që janë ndarë nga jeta aksidentalisht. Policia e Shtetit ka reaguar për ngjarjet ku dyshohet se shqiptarët janë vrarë, ku palës greke i ka kërkuar informacione për këtë krime të rënda
19 nëntor
Adoleshenti shqiptar Enriko Buzani 15-vjeç, humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në qytetin Kyparissia. Ai kishte marrë pa leje makinën e të atit dhe së bashku me të ishin edhe dy shokë të tij 15-vjeçar. Automjeti i tyre u përplas me një kamion. Fatkeqësisht, tre adoleshentët humbën jetën. Për të nxjerrë trupat e nxënësve nga automjeti i shkatërruar, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve. Sipas burimeve mediatike, nxënësit sapo kishin dalë nga mësimi para se të merrnin pa leje makinën, e cila u shkaktoi atyre vdekjen. Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit janë të paqarta, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.
22 nëntor
Altin Mulla vritet në kufi pranë Pogonit nga policia greke. Së bashku me disa persona të tjerë, Mulla kishte kaluar ilegalisht nga kufiri i gjelbër për të trafikuar lëndë narkotike. Ata u diktuan nga policia greke që patrullonte kufirin dhe nisën të qëllonin me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit, Altin Mulla mbeti i vdekur, kurse shqiptarët e tjerë u arratisën. Sipas mediave greke, efektivët e policisë po zhvillonin një aksion kundër një grupi që dyshohet se trafikonte lëndë narkotike. Nga informacionet e shtypit grek, bëhet fjalë për një grup shqiptarësh që u pikasën në kufirin e gjelbër. Sapo vunë re makinat e policisë, ata qëlluan me armë ndaj efektivëve. Aksioni vazhdon për të arrestuar personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, dyshohet 4 të tillë. Ndërkohë, policia greke ka sekuestruar 10 thasë me drogë, me peshë 100 kilogramë kanabis. Po kështu, në vendngjarje u gjetën edhe 2 kallashikovë
24 nëntor
Një 38-vjeçar shqiptar humbi jetën në aksident në hyrje të qytetit Malesina. Ai ishte duke udhëtuar i vetëm në makinë kur humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga duke përfunduar në oborrin e një shtëpie. Një ambulancë e dërgoi 38-vjeçarin me urgjencë në spital por fatkeqësisht ndërroi jetë sapo mbërriti. Shqiptari jetonte prej disa vitesh me familjen e tij në Greqi. Ndërkohë, policia greke ka nisur hetimet për të sqaruar tërësisht rrethanat e aksidentit me pasojë vdekje.
25 nëntor
Një i burgosur shqiptar në burgun e Trikallas u gjet i pajetë në qeli. Një natë më parë, gjendja shëndetësore e 35-vjeçarit ishte normale kur kishte shkuar për të fjetur. Ai u gjet i vdekur nga gardianët, ndërsa shkaqet janë ende mister. Sipas mediave greke, autoritetet policore kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes së shqiptarit.
26 nëntor
Një 63-vjeçar shqiptar u gjet i vdekur në një kanal në anë të rrugës në Korfuz. Nga hetimet paraprake, rezultoi se 63-vjeçari ishte qëlluar me çifte nga një distancë e afërt nga persona të panjohur. Më pas trupi i tij ishte hedhur në anë të rrugës. Shqiptari ishte person i njohur në atë zonë pasi banonte prej vitesh. Fqinjët i thanë policisë se ai nuk kishte probleme me persona të tjerë. Policia në Lefkimi ka nisur hetimet për vrasjen e 63-vjeçarit, ndërsa kanë marrë në pyetje familjarë e të njohur të viktimës.
29 nëntor
Një 40-vjeçar shqiptar u përplas për vdekje nga një makinë në Selanik. Viktima po kalonte rrugën kur u godit nga një automjet i drejtuar nga një 20-vjeçar. Për shkak të plagëve, 40-vjeçari shqiptar humbi jetën menjëherë. Sipas policisë greke, shqiptari u përplas nga një makinë e drejtuar nga një 20-vjeçar. Identiteti i viktimës nuk është bërë me dije. Policia e Selanikut ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat.
KOHA JONË SONDAZH

