“Nëse e doni veten e të tjerët, izolohuni”, kreu i Shoqatës Vatra flet nga SHBA: Këtu ka viktima të mëdha, edhe shqiptarë!

Kreu i Shoqatës shqiptare në SHBA “Vatra”, Elmi Berisha, foli në një lidhje me “Skype” për News24 për situatën e rëndë të krijuar në SHBA, dhe kryesisht në Nju Jork, për shkak të përhapjes masive nga koronavirusi.

Berisha tha se Nju Jorku po kalon një situatë të jashtëzakonshme, edhe për shkak se ka shumë njerëz dhe është shumë e vështirë të respektohen masa.

Lidhur me këtë, kreu i Shoqatës Vatra deklaroi se Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit duhet të marrin mësim nga Nju Jorku dhe të respektojnë me përpikmëri masat, pasi janë vende të vogla dhe e kanë më të lehtë.

Ai falënderoi qeveritë shqiptare për masat e deritanishme, ndërsa shtoi se qytetarët nuk po tregohen të ndërgjegjshëm.

Pjesë nga intervista:
Si është situate në Nju Jork?

Situata është shumë e rëndë, por po bëhet një punë e jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin dhe për të ndalur këtë pandemi të madhe.

Çfarë po bëni ju si shoqatë në funksion të komunitetit shqiptar?
Po luan një rol të rëndësishëm. Në mesin e Vatrës kemi persona, mjekë, inxhinierë, doktorë, që po punojnë 24 orë duke i shërbyer komunitetit shqiptar, por edhe qytetarëve amerikanë. Të moshuarve dhe atyre që nuk kanë shërbim të mirë, Vatra po koordinohet me mjekët për t’iu shërbyer, duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Kemi viktima të mëdha, ka dhe shqiptarë, që nuk mund t’i përmend, por ka një numër të jashtëzakonshëm të shqiptarëve të prekur, edhe të atyre që janë në gjendje të rëndë, si dhe të atyre që janë shëruar fatmirësisht.

Vatra aktualisht ka lënë numra telefoni në dispozicion të shqiptarëve atje?
Vatra është në lidhje të drejtpërdrejtë me të gjithë ata shqiptarë dhe me organizata të tjera, që veprojnë në Amerikë, por edhe me organizata në vende të tjera të botës, me të cilat shkëmben informacione, që ndihmojnë për të luftuar këtë pademi. Jemi në lidhje të vazhdueshme duke ndihmuar, kontribuuar dhe dhënë informatat, që do na shpëtojnë jetën.

Si e shihni situatën në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë?
Lexova që Kosovës po i rritet numri i të infektuarve, kjo është për shkak të mos respektimit të kërkesave. Duhet të izolohemi, pasi është e vetmja mënyrë për të ndaluar këtë sëmundje të rrezikshme. Nëse e duam veten, familjen dhe të tjerët, sigurisht që do të jetë e lehtë të vendosim të vetëizolohemi. Nju Jork është në krizë, vetëm për faktin se densiteti i njerëzve është shumë i madh, kurse në Shqipëri, Kosovë e vende të tjera duhet ta marrin si mësim dhe të kuptojnë se e vetmja mënyrë për të kaluar këtë sfidë është vetëizolimi. Shqipëria po bën një punë shumë të mirë. Respektimi nga qytetarët duhet të jetë pak më dinjitoz, sepse qeveritë e vendeve tona po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.

SHKARKO APP