NËSE NUK PRANON DIALOGUN, ATËHERË HALLI NUK ËSHTË ZVËRNECI
Deklarata e kryeministrit Edi Rama se projekti i Jared Kushner dhe Ivanka Trump do të realizohet edhe sikur qindra mijëra protestues të dalin në shesh ka shkaktuar debat të madh politik. Por përtej emocioneve dhe sloganeve, ekziston një pyetje shumë e thjeshtë: a është kjo protestë për Zvërnecin apo për rrëzimin e qeverisë?
Kryeministri ka bërë publikisht një ftesë për dialog. Ai ka kërkuar që përfaqësues të protestuesve të ulen në tavolinë, të dëgjojnë argumentet e qeverisë dhe të paraqesin kundërshtimet e tyre. Kjo është rruga normale në çdo demokraci.
Por përgjigjja që vjen nga organizatorët e protestës është krejt tjetër: nuk duam takim, nuk duam debat, nuk duam negociata. Duam dorëheqjen e kryeministrit.
Pikërisht këtu ndryshon natyra e protestës.
Nëse shqetësimi kryesor do të ishte Zvërneci, mjedisi apo kushtet e investimit, atëherë rruga logjike do të ishte përballja e argumenteve. Do të kërkoheshin garanci shtesë, transparencë më e madhe, ndryshime në projekt apo mbrojtje më e fortë e zonës.
Por kur kushti i vetëm është largimi i kryeministrit, atëherë debati nuk është më për Zvërnecin. Është politik.
Askush nuk është i detyruar të pajtohet me projektin e Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Kundërshtimi është e drejtë demokratike. Por po aq demokratike është edhe detyrimi për të pranuar dialogun kur të ftohesh në debat.
Për më tepër, bëhet fjalë për një investim që llogaritet në miliarda dollarë, një nga projektet më të mëdha turistike të menduara ndonjëherë në Shqipëri. Pavarësisht debateve, askush nuk mund të mohojë se emri i familjes Trump i jep projektit një jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe e vendos Shqipërinë në qendër të vëmendjes së investitorëve globalë.
Në demokraci, qeveritë nuk largohen sepse këtë e kërkon një protestë. Qeveritë largohen me votë. Aq më tepër kur kryeministri sapo ka marrë një mandat të ri nga qytetarët.
Ndaj pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: nëse nuk pranohet as dialogu, as debati dhe as negociata, atëherë a është vërtet halli Zvërneci?
Apo Zvërneci është vetëm preteksti, ndërsa objektivi i vërtetë është largimi i Edi Ramës?
Përgjigjja duket se po jepet çdo ditë nga vetë protestuesit. Sepse kush ka hall një projekt, kërkon ta ndryshojë atë. Kush ka hall qeverinë, kërkon ta rrëzojë atë. Por Kryeministri Rama tha dje për herë të parë se edhe nëse do mblidhen 500 mijë veta në Bulevard, nuk heq dorë nga zbatimi i projektit për Zvernecin dhe ishullin e Sazanit.
KOHA JONË SONDAZH

