Nesër do të mbahet Samiti i Diasporës, Rama: Shqiptarët jashtë vendit, një realitet i ri politik dhe ekonomik
Kryeministri Edi Rama këtë të dielë në podcastin ”Flasim”, nënvizoi disa prej çështjeve më të rëndësishme të zhvillimeve dhe politikave kryesore që kanë karakterizuar punën e qeverisë. Në fokus janë zhvillimet në ekonomi, rritja e pagave dhe pensioneve, investimet e huaja, si dhe progresi i Shqipërisë në raportet dhe vlerësimet ndërkombëtare. Kryeministri theksoi se këto rezultate pasqyrojnë një fazë të re zhvillimi për vendin, të mbështetur në reforma të qëndrueshme dhe në forcimin e ekonomisë.
Nesër më 13 prill, do të zhvillohet në Tiranë Samiti i Diasporës. Rama tha se shqiptarë nga e gjithë bota do të jenë në Tiranë, ku sipas kryeministrit, vëmendja gjatë këtyre ditëve do të jetë te historitë e tyre të punës, përkushtimit dhe suksesit.
”Në javën që nis nesër, mirëpresim në Tiranë Samitin e Diasporës. Edicioni i katërt që mbledh edhe njëherë shqiptarët nga të gjitha anët e botës. Ata që jetojnë e punojnë jashtë vendit, por sytë i kanë në Shqipëri. E nisim në 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre të punës, të suksesit dhe përkushtimit, që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë”,-tha Rama.
Samiti i Diasporës
Në javën që nis nesër, mirëpresim në Tiranë Samitin e Diasporës, edicioni i katërt, që mbledh edhe njëherë shqiptarët nga të gjitha anët e botës, ata që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, por që sytë i kanë në Shqipëri dhe, sa herë u jepet mundësia, mendojnë, komunikojnë apo vizitojnë Shqipërinë. E nisim më 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre, histori suksesi, pune e përkushtimi, që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë, por, njëkohësisht, edhe një hapje për vlerësim. Vlerësim, jo vetëm për shqiptarët që kanë arritur dhe kanë kontribuar jashtë, por edhe për miqtë e tyre, miq të huaj që kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugës së shqiptarëve, janë bërë bashkë dhe kanë bashkuar, në një farë mënyre, krahët e shqiponjës sonë. Sot, diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe ajo vjen në këtë samit për herë të parë pas një përfshirjeje historike në zgjedhjet politike të vendit. Ajo vjen si një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj dhe kthehet në një realitet shqiptar në transformim të vazhdueshëm, gjithmonë e më shumë si një partner, si një partner i drejtpërdrejtë, duke filluar nga zgjedhjet politike, pastaj edhe tek ekonomia dhe, hap pas hapi, në rrugët e dijes drejt hapësirave të reja të së ardhmes. Dhe sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në një nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë dhe mendjesh që krijojnë vlerë të shtuar në një bashkëpunim që prodhon rezultate për vendin dhe jo vetëm për vetë shqiptarët, kudo që janë.
Rritja e pagave
Nga 1 janari i këtij viti kemi hyrë në një fazë të re të rritjes së pagave, me një drejtim të qartë: rritje reale e të ardhurave dhe mbrojtje e fuqisë blerëse. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pagat nominale, të cilat, nga paga minimale në shkallë vendi, janë rritur në 500 euro, apo në mesataren e përgjithshme kanë arritur në rreth 10%, me një ritëm të qëndrueshëm si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Po këtu bëhet fjalë për çka na ka munguar si mekanizëm, jo sepse nuk e kemi ditur mungesën, por sepse s’kemi mundur ta adresojmë si pasojë e mungesës së mundësive të ekonomisë. Sot që ekonomia na ka dhënë mundësi të reja, ne kemi vendosur të indeksojmë pagat në sektorin publik çdo dy vite, me mekanizma shtesë për kategori të ndryshme, dhe kësisoj të korrigjojmë impaktin e inflacionit mbi pagën për mësuesit, për mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe administratën. Një vëmendje e veçantë i është dhënë sistemit shëndetësor, ku nga qershori pagat do të rriten edhe në disa shërbime kritike. Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel me të tjerët edhe për sa i përket rojeve, që janë një ngarkesë ekstra. Ndërkohë, shtesat konkrete do të arrijnë në 18 mijë lekë në muaj për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët, të shoqëruara me paga më të larta për turnet dhe një sistem rivlerësimi për përvojën. Është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë aty ku përgjegjësia është më e lartë dhe ku sistemi kërkon mbështetje të përditshme. Është një politikë e qëndrueshme, sepse është një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe janë mekanizma të nevojshëm, që kjo rritje ekonomike i ka bërë të mundshëm dhe, patjetër, edhe të matshëm në atë që është llogaria e çdo familjeje që jeton me punë të ndershme.
Skema e rritjes së përvitshme të pensioneve
Ndërkohë që kemi stabilizuar dhe kemi vënë në lëvizje një skemë rritjeje të përvitshme të pensioneve, çka është rritur në këtë janar do të dyfishohet në janarin e ardhshëm, do të trefishohet në janarin e 2028-ës, do të katërfishohet në janarin e 2029-ës dhe do të pesëfishohet në janarin e 2030-ës. Po përgatisim edhe një kolonë tjetër të skemës së pensioneve, e cila i bashkëngjitet në mënyrë komplementare sistemit aktual, kolonës qendrore të pensioneve, duke krijuar një hapësirë të re dhe një mundësi të dytë mbështetjeje për të ardhmen. Ideja është shumë e thjeshtë: çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat. Në këtë mënyrë, kontributi dyfishohet dhe, muaj pas muaji, krijohet një fond individual, i cili i shtohet pensionit që përfitohet normalisht nga kolona e parë, skema ekzistuese. Kjo nuk është absolutisht diçka “alla shqiptare”, sepse ne nuk bëjmë të tilla; po mësojmë nga përvojat më të mira dhe përpiqemi të sjellim këtu modele të sprovuara. Pra, është një model i mirënjohur që krijon mundësinë e krijimit gradual të një fondi pensionesh, për më shumë siguri për individin dhe për një lidhje më të qëndrueshme mes punonjësit dhe punëdhënësit, shtetit apo privatit. Një mekanizëm sigurie financiare për moshën e tretë dhe, e përsëris, një mekanizëm komplementar që nuk e prek, por e forcon mekanizmin aktual.
Investimet e huaja në Shqipëri
Ekonomia rritet dhe rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe sepse investimet e huaja direkte rriten në mënyrë të qëndrueshme. Në 5 vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja në raport me ekonominë sesa mesatarja e rajonit, duke arritur në afro 7% të Prodhimit të Përgjithshëm, mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor. Vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të 2025-ës kemi arritur në 1.21 miliardë, çka konfirmon ritmin e qëndrueshëm të rritjes. Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja ka arritur në 16.6 miliardë euro, një shifër e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë. Një shifër që tregon qartë se Shqipëria ka ndryshuar pozicionim në rajon, ka ndryshuar qasje dhe impakt, nga një treg që shihej me shumë rezervë, duke u kthyer në një vend ku investohet konkretisht dhe në perspektiva afatgjata. Dhe, po të llogarisim aplikimet, interesimet dhe mundësitë që shohim nga e gjithë ajo çka është tryeza e dosjeve të agjencive përkatëse, atëherë mund t’ju them me plot gojën se e nesërmja është shumë më e mirë sesa e sotmja. Është një e nesërme rezultatesh që lidhen drejtpërdrejt me çfarë kemi mbjellë me mundim në tërë këto vite, me reformat transformuese që kemi bërë, me stabilitetin ekonomik që kemi krijuar, me përmirësimin në vazhdim të klimës së biznesit dhe me një qasje të strukturuar të investimeve në një mjedis të parashikueshëm për kapitalin afatgjatë.
Raporti i Bashkimit Europian
Dhe, së fundi, dua të ndaj me ju kënaqësinë e marrjes këto ditë të një raporti shumë domethënës të Bashkimit Europian, përmes instrumentit përkatës të SIGMA-s dhe OECD-së, që ka analizuar edhe panoramën e përgjithshme të prokurimeve publike në rajonin tonë, ku Shqipëria spikat me përmirësimet e saj. Përmes shifrave dhe fakteve, do të mund t’i tregojmë edhe publikut se sa larg janë të gjitha ato që thuhen dhe stërthuhen, duke ushqyer një perceptim negativ lidhur me raportin e Shqipërisë me korrupsionin dhe lidhur me pozicionin e kësaj shumice ndaj korrupsionit, në raport me realitetin e fakteve dhe të shifrave konkrete, të identifikuara dhe të rreshtuara jo nga qeveria apo ekspertët e saj, por nga një instrument i besueshëm dhe cilësor i Bashkimit Europian, me të gjithë integritetin e duhur profesional për të treguar se cila është e vërteta. Edhe në atë çka lidh prokurimet publike me transparencën dhe cilësinë e mekanizmave që i vënë ato në përdorim në të mirë dhe në interes të publikut, Shqipëria përsëri spikat si e para në rajonin tonë.
KOHA JONË SONDAZH

