Nesër priten shira të shumtë, Bashkia e Tiranës në gatishmëri

 Tirana, ashtu si edhe pjesa më e madhe e vendit tonë, sipas parashikimeve metereologjike, gjatë orëve në vijim dhe kryesisht gjatë ditës së nesërme pritet të përfshihet nga mot i keq dhe me reshje të dendura. Ndaj nisur pikërisht nga këto parashikime, Bashkia e Tiranës ka nisur të marrë masat për të qenë në gatishmëri për të përballuar çdo situatë që mund të sjellë përmbytje, rrëshqitje të dherave dhe bllokime rrugësh në gjithë territorin e saj.

 Në një deklaratë për mediat Drejtori për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësitë Administrative, Admir Abrija, ka bërë të ditur se si rrjedhojë e parashikimeve edhe të qendrave rajonale të sinoptikës, Bashkia e Tiranës ka angazhuar të gjitha ndërmarrjet e veta për të qenë të gatshme për të ndërhyrë dhe për të ardhur në ndihmë për çdo situate emergjente që mund të krijohet. Për këtë qëllim ai ka bërë të ditur gjithashtu se puna është bashkërenduar me njësitë administrative, Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile.

 Ai gjithashtu i ka bërë thirrje banorëve të Tiranës që gjatë ditës së nesërme të shmangin lëvizjet me mjetet e tyre dhe të përdorin mjetet e transportit publik. “Bashkia e Tiranës i bën thirrje të gjithë qytetarëve që, kryesisht ditën e nesërme, paradite deri pasdreke, të evitojnë qarkullimin me automjetet e tyre private, si dhe të përpiqen që të përdorin transportin publik për të udhëtuar nga një destinacion në tjetrin”, – tha Admir Abrija.

 Gjithashtu një thirrje ai ka përcjellë edhe për ata banorë të kryeqytetit që jetojnë në zonat rurale, të cilëve i ka kërkuar të evitojnë punët afër lumenjve. “Bashkia e Tiranës i bën thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët jetojnë në zona rurale të saj, që të marrin masa që mos të frekuentojnë, të miturit brigjet e lumenjve, në zonat që paraqesin rrezikshmëri”, – shtoi Abrija. Ai ka bërë të ditur po ashtu se Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve të gjithë numrat e kontaktit të shërbimit të zjarrfikeseve, Policisë Bashkiake, emergjencave dhe gjithë shërbimet e tjera që Bashkia e Tiranës ofron.

SHKARKO APP