Nesër testimi për Patrullë e Përgjithshme, Vasili: Dy faza brenda ditës

Të mërkurën (4 shtator), 2120 aplikantë do të marrin pjesë në testimin me shkrim për 500 vende për Patrullë të Përgjithshme. Testimi do të bëhet në Pallatin e Kongreseve. Lidhur me këtë provim, drejtori i Kolegjit Policor, Drejtues Ylli Vasili, tha në konferencë për shtyp se testimi do të zhvillohet në dy faza, brenda ditës.

”Në fazën e parë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier, të cilët duhet të jenë prezent në Pallatin e Kongreseve, në orën 07:30 të mëngjesit. Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, të cilët duhet të jenë prezent në orën 12:00, në Pallatin e Kongreseve”.

Nga ana tjetër, Vasili tha se vijojnë të jenë të hapura aplikimet deri në datën 15 shtator 2019, për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në degët Ekonomik, Juridik dhe Teknologji Informacioni dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë, të cilët në përfundim të kursit, do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fazat e konkurrimit

Swiss Digital Mobile Reklama

Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme të konkurrimit:

– Testimi me shkrim;
– Testimi i aftësive fizike;
– Intervistë me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;
– Testimi psikologjik;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Strukturat e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë do t’u japin të gjithë aplikantëve formularin e aplikimit, informacionin e nevojshëm për procedurat, kërkesat dhe çdo lloj testimi e verifikimi, si dhe për ushtrimin e të drejtës së apelimit. Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Po ashtu, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën: [email protected] Çdo material i nevojshëm për procesin e aplikimit, është i pasqyruar në faqen e internetit të Policisë së Shtetit asp.gov.al në rubrikën Akademia e Sigurisë-“Si mund të bëhesh punonjës policie”.

Fjala e plotë

Policia e Shtetit, në datë 3 Korrik, hapi aplikimet për 500 vende, për Patrullë të Përgjithshme. Thirrjes së Policisë për t’u bërë pjesë e saj iu përgjigjën 2 120 të rinj e të reja nga gjithë vendi. Për t’u ardhur në ndihmë shumë të rinjve e të rejave, të cilët nuk i përmbushnin dot të gjitha kriteret deri në datën 3 gusht, Policia e shtyu afatin e aplikimeve deri në datën 15 gusht. Ky interesim i lartë i të rinjve dhe të rejave është një inkurajim i madh për organizatën e Policisë, e cila vitet e fundit ka hapur dyert për ta. Pas përfundimit të afatit të aplikimit në datë 15 gusht, u bë verifikimi i dokumentacionit, u shpallën listat dhe u njoftuan të gjithë aplikantët për datën dhe vendin e zhvillimit të fazës së parë të konkurimit, atë të testimit me shkrim.

Më datë 4 shtator, në Pallatin e Kongreseve, 2 120 aplikantë do të marrin pjesë në testimin me shkrim. Testimi do të zhvillohet në dy faza, brenda ditës. Në fazën e parë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Tiranë, Berat, Durrës e Fier, të cilët duhet të jenë prezent në Pallatin e Kongreseve, në orën 07:30 të mëngjesit. Në fazën e dytë do të marrin pjesë aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, të cilët duhet të jenë prezent në orën 12:00, në Pallatin e Kongreseve.

Aplikantët, në momentin që futen në sallën e konkurrimit nuk duhet të kenë me vete celular dhe u ndalohet komunikimi me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të testimit. Për të eliminuar çdo abuzim sado të vogël, të dyja fazat e testimit do monitorohen me kamera, si dhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Pyetjet e testimit me shkrim prodhohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore në Ministrinë e Arsimit dhe tërhiqen nga komisioni në orën 07:00 të mëngjesit dhe janë pyetje me karakter të formimit të përgjithshëm.

Testet janë në kuti të mbyllura e me vulë dhe hapen në prezencë të aplikantëve. Çelësi i përgjigjeve të testimit tërhiqet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në momentin kur përfundon testimi dhe mblidhen testet e pjesëmarrësve. Në prezencë të një grupi me rreth 30 aplikantë të zgjedhur si përfaqësi nga vetë aplikantët, bëhet korrigjimi me skandron dhe përgjigjet afishohen menjëherë në Pallatin e Kongreseve. Çdo konkurent, në fund të çdo faze konkurimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në Akademinë e Sigurisë në zyrën e Burimeve Njerëzore dhe më pas kjo ankesë i përcillet Komisionit të Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, vijojnë të jenë të hapura aplikimet deri në datën 15 shtator 2019, për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në degët Ekonomik, Juridik dhe Teknologji Informacioni dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë, të cilët në përfundim të kursit, do të bëhen pjesë e strukturave të hetimit të Policisë së Shtetit dhe do të marrin gradën policore Nënkomisar. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklet e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?