Netanyahu pranon ftesën për t’iu drejtuar Kongresit Amerikan

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka pranuar ftesën nga liderët e të dyja palëve në Kongresin amerikan për t’iu drejtuar Dhomës së Përfaqësuesve, tha dje në mbrëmje zyra e tij.

“Udhëheqësi izraelit është i emocionuar për privilegjin për të paraqitur të vërtetën e ‘luftës së drejtë’ të Izraelit në Gazë përpara përfaqësuesve të popullit amerikan dhe të gjithë botës”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se lufta drejtohet kundër atyre që duan të vrasin izraelitët.

Deklarata vjen pasi kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, publikoi ftesën drejtuar Netanyahut, e cila u nënshkrua gjithashtu nga lideri i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, si dhe nga demokratët kryesorë në të dy dhomat, Hakeem Jeffries dhe Chuck Schumer.

Letra nuk specifikon një datë për fjalimin.

Johnson, më herët njoftoi publikisht planet e tij për të ftuar Netanyahun.

Ftesa vjen në kuadër të mosmarrëveshjeve të mëdha në shoqërinë amerikane për luftën në Gazë dhe ardhja e Netanyahut mund të çojë në trazira të mëtejshme politike përpara zgjedhjeve presidenciale të planifikuara në nëntor.

“Netanyahu do të jetë kreu i parë i shtetit në botë që do t’i drejtohet të dy dhomave të Kongresit për herë të katërt”, tha zyra e tij. //a.i/ ATSH

SHKARKO APP