“New York Times” shkruan: Shqipëria i jep dritën jeshile projektit të Jared Kushner

Prestigjiozja amerikane “New York Times”, ka shkruar lidhur me projektin e dhëndrit të Trump, Jared Kushner, për të ndërtuar një hotel luksoz në Sazan.

Pjesë nga shkrimi i New York Times  

Qeveria e Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak për një plan të propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald J. Trump, për të ndërtuar një kompleks luksoz hoteli prej 1.4 miliardë dollarësh në një bazë të vogël ushtarake të braktisur pranë bregdetit të Shqipërisë.

Ky projekt është një nga disa projekte të tjera ku përfshihen zoti Trump dhe familja e tij e zgjeruar, që lidhen drejtpërdrejt me entitete qeveritare të huaja dhe që do të ecin përpara edhe pse Trump do të jetë përgjegjës për politikën e jashtme në lidhje me këto vende.

Miratimi nga Komiteti Strategjik i Investimeve i Shqipërisë, i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, i jep Kushner-it dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të avancuar me negociata të përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në një zonë prej 111 akrash në ishullin Sazan, i cili do të lidhet me traget me tokën.

Zoti Kushner dhe qeveria shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të mërkurën, 15 janar 2025. Por më parë, kur janë pyetur për këtë projekt, të dyja palët kanë deklaruar se vlerësimi nuk ndikohet nga lidhjet e Kushnerit me Trumpin ose përpjekjet për të kërkuar favore nga qeveria amerikane.

“Fakti që një sipërmarrës amerikan i njohur shfaq interes për të investuar në Shqipëri na bën shumë krenarë dhe të lumtur,” tha një zëdhënës i zotit Rama vitin e kaluar në një deklaratë për The Neë York Times kur u pyet për projektin.

Firma e Kushnerit, Affinity Partners, një kompani private investimesh e mbështetur kryesisht nga 4.6 miliardë dollarë fonde sovrane nga Arabia Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, po ndjek projektin në Shqipëri së bashku me Asher Abehsera, një ekzekutiv i pasurive të paluajtshme me të cilin Kushner ka bashkëpunuar më parë për projekte në Brooklyn, Nju Jork.

Qeveria shqiptare, sipas një dokumenti zyrtar të postuar së fundmi online, do të punojë tani me partnerët amerikanë për të pastruar zonën e hotelit të propozuar nga ndonjë municion i mundshëm i varrosur dhe për të shqyrtuar çdo shqetësim tjetër mjedisor ose ligjor që duhet zgjidhur para se projekti të vazhdojë.

Dokumenti, i datës 30 dhjetor 2024, vëren se qeveria “ka të drejtë të revokojë vendimin”, në varësi të negociatave përfundimtare të projektit.

Firma e Kushnerit ka deklaruar se plani është ndërtimi i një “komuniteti eko-resort me pesë yje” në ishull duke e kthyer një “ish-bazë ushtarake në një destinacion ndërkombëtar të gjallë për mikpritje dhe mirëqenie.”

Ivanka Trump, vajza e zotit Trump, ka thënë se po ndihmon gjithashtu në këtë projekt. “Ne do ta realizojmë atë,” tha ajo për projektin gjatë një podkasti vitin e kaluar.

Ky projekt është vetëm një nga dy marrëveshje të mëdha pasurish të paluajtshme që Kushner po ndjek së bashku me Abehsera-n dhe që përfshin qeveri të huaja.

Ndërkohë, partneriteti mori miratimin paraprak vitin e kaluar për të ndërtuar një kompleks luksoz hoteli në Beograd, Serbi, në ndërtesën e ish-ministrisë së mbrojtjes, që ka qëndruar bosh për dekada pasi u bombardua nga NATO në vitin 1999 gjatë një lufte atje.

 

SHKARKO APP