Nga 1 janari 2025 pensionistët udhëtojnë me abone falas në Tiranë, ja si do të funksionojë
Nga 1 janari i vitit 2025, pensionistët e Tiranës do të udhëtojnë falas në të gjitha linjat urbane të kryeqytetit, ndërsa do të jetë Bashkia e Tiranës ajo që do të subvencionojë abonetë e tyre. Nga kjo nismë e propozuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, përfitojnë 177 mijë pensionistë, të cilët kanë mundësinë të pajisen me abone të përgjithshme falas për transportin publik.
Për regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës për Abone Pensionisti, qyetarët duhet të paraqiten pranë njësive adminstrative respektive ku banojnë, duke filluar nga data 16.12.2024. Bashkia e Tiranës sqaron se pajisja me bileta të pajtimit mujor (Abone Pensionisti) të përgjithshme, me të drejtë udhëtimi në linjat qyetase, do kryhet sipas procedurës më poshtë:
a) Përfitues do të jenë të gjithë personat banues në Bashkinë e Tiranës, femrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe meshkujt të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeç.
b) Qytetarët paraqiten pranë njësive adminstrative respektive ku banojnë, me kartën e identitetit me qëllim regjistrimin në portalin e përfitimit të së drejtës me Abone Pensionisti.
c) Qytetarët tashmë të regjistruar në portalin e përfitimit të Abonesë së Pensionistit, duhet të paraqiten çdo fund muaji për të përfituar abonenë e pensionistit për muajin pasardhës në pikat përkatëse të shpërndarjes me kartën e identitetit dhe foto.
d) Pajisja e qytetarëve përfitues me Abone Pensionisti, pranë pikave të shpërndarjes së aboneve të pensionistit, bëhet e shoqëruar me foto dhe plotësohet me emrin dhe mbiemrin e mbajtësit.
e) Gjatë udhëtimit në mjetet e shërbimit të transportit publik qytetas përfituesit duhen të kenë me vete Abonenë e Pensionistit dhe Kartën e Identitetit.
f) Pajisja me Biletën e Pajtimit Mujor (Abone Pensionisti) bëhet në pikat e përcaktuara që do njoftohen në vijim dhe që do jenë te kioskat pranë disa prej stacioneve të autobuzit.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë masa lehtësuese edhe për studentët. Të gjithë studentët që janë të pajisur me Kartën e Studentit do të vazhdojnë të udhëtojnë falas.