“Nga fiskalizimi tek shkëmbimi automatik i informacionit”, Ibrahimi: Ja sfidat e administratës tatimore për vitin 2020

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimi deklaroi sot administrata tatimore do të ketë në fokus të punës së saj për vitin 2020 rritjen e eficencës dhe përmbushjen e detyrave funksionale, përmes standardizmit të një analize inteligjente në qasjen ndaj tatimpaguesve.

Gjatë një konference për mediat, drejtoresha e Tatimeve tha se linja kryesore në planin operacional të këtij viti me qëllim reduktimin e informalitetit dhe rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare tatimore do të fokusohet në: vijimin e planeve sektoriale të orientuar nga analiza e riskut në sektorin e ndërtimit, hidrokarbureve, sektori i bar-restoranteve e turizmit dhe nëndeklarimi i pagave, ku në bazë të analizës së sjelljes jopërmbushëse dhe ndjekja e tatimpaguesve drejt vetërregullimit përmes komunikimit, intervistave të thelluara, kontrolleve, apo hetimit tatimor. Këto plane sektoriale do të ndiqen përgjatë të gjithë vitit, mbështetur në elementët e modulit të riskut, të cilët janë në proces të vazhdueshëm përditësimi dhe automatizimi.

“Brenda vitit 2020 do të përfundohet për herë të parë një Strategji e mirëfilltë për Shërbimin e Tatimpaguesve dhe një Strategji Komunikimi, në frymën e qasjes së re ndërvepruese të AT me tatimpaguesit dhe në përmbushje të rekomandimeve të FMN-së. Prej muajit Shkurt do të realizojmë në shkallë vendi Pyetësorin e Kënaqësisë së Tatimpaguesve, për të matur nivelin e kënaqësisë së tyre ndaj AT dhe për të orientuar përmirësimin e punës sonë sipas problematikave që do të evidentohen”- tha ajo.
Ibrahimi theksoi se, do të strukturojmë Partneritetin me Universitetet, ku brenda muajit prill do të kemi të përcaktuara linjat e bashkëpunimit për kualifikimin e duhur të profesionistëve të rinj që do t’i bashkohen Administratës Tatimore.

“Monitorim më i mirë i deklarimeve tatimore, duke ndërthurur dhe kryqëzuar informacion mes strukturave të ndryshme të DPT dhe institucioneve të tjera, çka do të përmirësojë leximin e treguesve dhe parandalimin e fenomeneve të mospërmbushjes. Ka nisur puna për realizimin e protokollove të bashkëpunimit me institucione si DPSHTRR, ASHK, Dogana, RBS, OSHE, Banka, etj, që do të na mundësojë akses dhe ndërveprim në kohë të shpejtë, kryesisht në punën e strukturave të Riskut, Kontrollit, hetimit tatimor, borxhit, etj. Krahas ndërtimit të kësaj platforme të gjerë të shkëmbimit të informacionit, po punojmë për disa ndryshime në sistemin tonë të deklarimit elektronik” theksoi Ibrahimi.

SHKARKO APP